“Daullet e Rezistencës” shfaqet në Hagë dhe Beograd

Prishtinë | 11 Nën 2016 | 16:19 | Nga

Pas premierës së suksesshme kombëtare në DokuFest, ku u shpërblye me mirënjohjen speciale Balkan New Comer dhe pas premierës ndërkombëtare që pati në Sarajevo Film Festival; ‘Daullet e Rezistencës’ vazhdon rrugën në Eastern Neighbors Film Festival në Hagë ku do të shfaqet sot dhe të dielën kurse të martën shfaqet në Free Zone Festival në Beograd.

“Daullet e Rezistencës” me skenar dhe regji nga Mathieu Jouffre dhe producente dhe bashkë-skenariste Besa Luci, rrëfen për atë se si një shoqëri dhe realiteti paralel ishin ndërtuar në Kosovë gjatë viteve 1990. Ai shfaq mënyrën si segregacioni dhe aparteidi u bënë normë e asaj kohe.

Filmi eksploron historitë e mësimdhënies nëpër shkolla, bodrume, banesa private, dyqane dhe shumë hapësira të tjera të kthyera në objekte shkollore. Është tregim mbi angazhimin shoqëror e civil si dhe aktivizmin në Kosovë që fuqizoi dhe mundësoi që jeta publike e shqiptarëve të marrë formë. Ky film përcjellët me muzikën origjinale të shkruar dhe përforcuar nga Liburn Jupolli.

Eastern Neighbors Film Festival (ENFF) shfaq filmat më të mirë të kohëve të fundit nga Evropa Lindore dhe Juglindore, kryesisht nga vendet që ende nuk janë anëtarë të familjes së madhe të BE-së.

Në këtë festival do të shfaqen edhe tre filma të tjerë të mbështetur nga QKK, siç janë: filmi “Babai” nga Visar Morina,  ‘Shok’ nga Jamie Donoughue dhe filmi “Të Pafajshmit” nga Amir Vitija duke dhënë kështu një pasqyrë të Kosovës me katër filmat që do të shfaqen aty.

Në ndërkohë me datën 15 nëntor ‘Daullet e Rezistencës’ do të shfaqet në konkurrencën rajonale në Free Zone Festival në Beograd.

Ky film është realizuar me mbështetjen financiare të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Culture For all – Phase III, Fondacionit Hearterfact, dhe Komunës së Prishtinës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme