Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj duke folur për rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 11 qershorit, ka thënë se fitorja e koalicionit PAN është fitore modeste.
“Është një fitore modeste, konsideroj se është çështje e numrave, PAN ka për obligim që të sigurojë numrat dhe të krijojë institucionet”.
“Është fitore modeste por që i jep mundësi krijimit të një koalicion qeverisës”.
Haradinaj për Klan Kosova ka thënë se pavarësisht deklarimeve të partive të tjera, PAN mbetet fitues i këtyre zgjedhjeve.
“Përderisa kemi 40 deputetë, kjo nënkuptohet kush është fituesi. Kemi vërtetuar se koalicionet paszgjedhore nuk njihen dhe nuk mandatohen për krijimin e institucioneve, pikërisht për këtë jemi futur në koalicion parazgjedhor”.
“Liderëve të PAN-it u takon që të krijojnë numrat dhe nuk shoh as një problem për krijimin e Qeverisë së ardhshme”.
Ai ka insistuar se tash është obligim i krerëve të PAN-it që të kenë numrat e duhur për krijimin e Qeverisë.
E për Haradinaj, duket se numrat nuk janë problem për këtë koalicion, që ka dalë i pari në rezultatet preliminare të 11 qershorit.
“Kemi pasur fushatë stabile, kemi ruajtur gjuhën e komunikimit, kemi pasur një palë zgjedhje që ishin si test i demokracisë e tani krijimi i institucioneve i takon shumicës dhe është obligim i liderëve të PAN-it që të sigurojnë numrat”.
“Mendoj se do të shkojë 1 javë deri tek krijimi i Qeverisë dhe institucioneve, pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja”.