Daut Haradinaj: Jemi “pro” padisë për gjenocid ndaj Serbisë, por nuk duhet nxituar

Prishtinë | 07 Qer 2021 | 21:03 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të ngrejë padi në GJND ndaj Serbisë për gjenocid gjatë periudhës së luftës së vitit 1998/99.

Këtë pikë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përfshirë në programin e vet qeveritar duke thënë, se “çështja e padisë për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) do të jetë një nga përparësitë e punës së tij gjatë mandatit qeverisës”.

“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë sonë, që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilin dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, tha kryeministri Kurti pas miratimit të programit të vet qeveritar. Kryeministri Kurti tha se përgatitjet për padi “janë gjigante sepse një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet”.

Lidhur me këtë çështje ka folur Daut Haradinaj, ish-deputet nga AAK, i cili ka thënë se është “pro” padisë për gjenocid ndaj Serbisë, por se nuk duhet nxituar pasi nëse humbet eventualisht rasti atëherë do t’i shkaktohej shumë dëm vendit.

“Nuk duhet me u ndalë, duhet me insistu me kërku drejtësi për. Absolut i përkrahi. Nuk duhet me u nxitu shumë e me humb rastin se tani nuk ka rast të dytë. Një vendim negativ nga drejtësia ndërkombëtare na kish bërë shumë dëm”, ka thënë Haradinaj në Kanal10, shkruan Reporteri.net.

Ai ka thënë se duhet pasur garanca se Kosova e fiton këtë betejë.

“Absolutisht jemi pro, por kur dhe çfare garanca ke me fitu këtë betejë”, tha Haradinaj.

Të ngjashme