Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ka reaguar ndaj çmimit të energjisë elektrike, përkatësisht atij për ndriçimin publik në komunat e Kosovës me theks të veçantë në kryeqytet.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se komunat duhet ta ngrisin këtë çështje me urgjencë.
“Meqë këto ditë është temë pagesa nga ana e Qeverisë së Kosovës për rrymën në veri, dua që publikisht të shtroj një pyetje për kryetarin e Prishtinës dhe gjithë kryetarët e komunave të Kosovës. Në tërë Republikën e Kosovës konsumatori shtëpiak gjatë natës paguan 3 cent këh, ndërsa ndriçimi publik, që natyrisht është natën, paguhet 10 cent këh”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka dhënë një statistikë të thjeshtë të shpenzimit të energjisë elektirke në Kosovë.
“Prishtina për vitin 2019 ka shpenzuar 788,548 këh, derisa e krejt Kosova shpenzon 2,515,348 këh, pra Prishtina shpenzon 32% të energjisë elektrike në nivel vendi. Besoj që komunat e Kosovës e veçmas ajo e Prishtinës duhet ta ngrisin me urgjencë këtë shqetësim”, është shprehur Haradinaj.
Sipas tij, ajo që ka ndodhur deri më tani është e papranueshme. “Është e palogjikshme dhe e papranueshme kjo që ka ndodhur tash e sa vite!”, ka përfunduar Daut Haradinaj.
https://www.facebook.com/1558607637525692/posts/3816944341691999/?d=n