Daut Haradinaj pritet nga bashkatdhetarët në Zvicër: Kosova ka nevojë si asnjëherë më parë për vlerat e tyre

Prishtinë | 29 Gus 2024 | 10:25 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, gjatë vizitës në Zvicër, ka takuar bashkatdhetarë që jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet.

Daut Haradinaj ka thënë se Kosova ka nevojë si asnjëherë më parë për vlerat e tyre si në aspektin akademik ashtu edhe në aspektin ekonomik.

“Një bisedë e jashtëzakonshme në Friburg të Zvicrës me vëllezërit tanë shqiptarë. Kjo energji dhe ky potencial që e zotërojnë diasporën tonë është një mundësi e jashtëzakonshme që t’u krijohet hapësirë në vendlindjen e tyre për të investuar, për të qenë aktivë në jetën dhe vendimmarrjen e legjislativit tonë. Të arriturat tona si shtet lidhen drejtpërdrejt me mbështetjen e pakursyer të vëllezërve tanë në diasporë. Kosova ka nevojë si asnjëherë më parë për vlerat e tyre si në aspektin akademik ashtu edhe në aspektin ekonomik. Mikpritja e organizuar nga Valdrin Hasanaj dhe familja e Zhelhasanëve si dhe bashkatdhetarë të shumtë, më bën të besoj se suksesi s’do të mungojë. Shumë nga miqtë që takova kërkonin eliminimin e burokracive që ka Kosova”, ka thënë Daut Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se Qeveria e ardhshme duhet të hapë një departament të veçantë për investimet e diasporës.

“Qeveria e ardhshme duhet të hapë një departament të veçantë për investimet e diasporës dhe duhet të shfrytëzohet përvoja akademike e vajzave dhe djemve nga diaspora. Të gjithë ishin të gatshëm për mbështetje të zhvillimit ekonomik të Kosovës, andaj ky kapacitet ekonomik i diasporës tonë duhet të shihet si mundësi e jashtëzajonshme që rinisë sonë t’i krijojmë perspektivë për zhvillim e mirëqenie në Kosovë, e jo atë ta kërkojnë jashtë saj”, është shprehur Haradinaj.

Të ngjashme