Ish-përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi, vitin e kaluar u largua nga bankina e kuqezinjve dhe filloi një aventurë të re në Spanjë.
Mirëpo, tani duket se ka mendim ndryshe dhe De Biasi në një intervistë foli për këtë gjë, por po ashtu edhe për gjasat e ekipeve italiane në Ligën e Kampionëve.
Më tej ai shpjegon se hendeku mes futbollit italian dhe kampionateve më të forta në Evropë është bërë edhe më i madh.
“Të tjerët janë rritur. Kampionët nuk preferojnë më skuadrat italiane. Dikur ia lejonim vetes të bënim investime të mëdha, ndoshta pa i menduar mirë, me rrezikun e asaj që bëri Parma. Jashtë Italisë, vetëm Juventus ia ka dalë të shkojë deri në fund. Të përballesh me një realitet tjetër, më superior, bëhet shumë më e vështirë. Tek Juventus, janë treguar të zotë në investime dhe në shitjen e futbollistëve në momentin e duhur. Kompeticionet ndërkombëtare janë bërë shumë të vështira dhe në fund të fundit, vjen një tjetër arab dhe merr skuadrën që do”, tha De Biasi.
61 vjeçari e sheh zgjidhjen për futbollin italian te përkrahja e futbollistëve të rinj, pasi nuk kanë frikën se mund të gabojnë, ndërsa sa i përket të ardhmes së tij, ish-tekniku kuqezi u shpreh:
“Pres të më vijë një tjetër mundësi. Jam shumë i hapur ndaj çdo oferte, mirëpo gabova që shkova në Spanjë te Alaves. Ishte një zgjedhje emocionale dhe duke parë karrierën time, duhet të kisha vepruar më me racionalitet”, përfundoi trajneri italian, Gianni De Biasi.