FSHF-ja ka organizuar sot një ceremoni lamtumire për ish-trajnerin e kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, i cili dha dorëheqjen nga drejtimi i kuqezinjve pas 5 viteve e gjysmë.
De Biasi e udhëhoqi me plotë sukses kombëtaren shqiptare, ku kulmi i tij ishte arritja në grupet e EURO 2016, ku Shqipëria luajti për herë të parë në histori me shënoi një fitore.
Megjithatë, italiani është zënë në befasi kur është pyetur në lidhje me punën e trajnerit të Kosovës, mundësi të cilën e la të hapur, pasi sipas tij i njeh të gjithë që e rrethojnë futbollin kosovar.
“Mundësia për të marrë drejtimin e Kosovës? Besoj se jam trajner i lirë, deri tani nuk më ka telefonuar njeri dhe nuk mund të trokas unë dhe t’u them: Po vij.”, ka thënë fillimisht De Biasi.
“Kosova është një federatë e re, i njoh të gjithë, presidentin, zv.presidentin, Bunjakun që po bën punën që po bën, por kanë edhe një skuadër të re me talente nëpër Evropë dhe që mund të bëjnë mirë”, përfundoi italiani.