Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, ka konfirmuar se Kevin De Bruyne e pësoi një lëndim në nyjën e këmbës, derisa Eden Hazardi e dëmtoi muskulin në fitoren 1:0 kundër Portugalisë të dielën mbrëma.
Thorgan Hazard e shënoi golin e vetëm dhe të triumfit për Belgjikën në Estadio de La Cartuja, për ta dërguar skuadrën e Roberto Martinezit në çerekfinale.
Belgjika dhe Italia do të përballet më 2 korrik në Munih, në çerekfinalen e dytë të këtij Evropiani.
Por ky triumf i kushtoi djajve të kuq belgë, pasi dy prej futbollistëve të tyre më të mirë e braktisën fushën duke çaluar.
De Bruyne nuk mundi të durojë më shumë se tre minuta në pjesën e dyte, para se të zëvendësohej, pas një ndërhyrjeje të ashpër që u bë ndaj tij. Hazardi e tërhoqi muskulin kah fundi i ndeshjes dhe kërkoi zëvendësim.
Martinez nuk mundi të garantojë nëse kjo dyshe do të mungojë apo do të luajë në takimin e të premtes në Munih, edhe pse lëndimi i Hazardit duket më i rëndë sesa i De Bruynes.
“Është herët të themi sesi janë ata. Kevin ka problem me nyjën, ai nuk mundi të luajë në pjesën e dytë. Edeni ka telashe me muskulin, por duhet të presim për diagnozat”, tha Martinez.
Belgjika takohet me Italinë të premten në Munih, pra De Bruyne dhe Hazard i kanë pesë ditë për t’u riaftësuar.