Karriera 18-vjeçare e Daniele De Rossit me Romën do të marrë fund këtë verë, mirëpo ai nuk do t’i ndjekë hapat e Francesco Totti, i cili u pensionua si lojtar që kishte luajtur vetëm në Romë gjatë gjithë karrierës së tij.
Klubi i Serisë A e ka konfirmuar se mesfushori 35-vjeçar, Daniele De Rossi, do të largohet këtë verë, kur edhe i mbaron kontrata me Romën.
Ai u bë një ikonë në kryeqytetin italian, ku e ka kaluar të gjithë karrierën e tij si futbollist profesionist deri më tani. Gjatë kësaj periudhe 18-vjeçare, ai i ka regjistruar mbi 600 paraqitje me Romën.
Megjithatë, tani De Rossi do t’i ndajë rrugët me klubin e vendlindjes.
Ai ka qenë pjesë e Romës që kur iu bashkua ekipit të të rinjve në vitin 2010. Vetëm Totti, nga i cili e mori shiritin e kapitenit, ka luajtur në më shumë ndeshje për klubin e Serisë A.
“Për 18 vjet, De Rossi ka qenë zemra e skuadrës së Romës. Që kur debutoi në vitin 2001 deri kur e mori përgjegjësinë si kapiten, ai gjithmonë i ka përfaqësuar tifozët e Romës në fushë me krenari, duke arritur të bëhen njëri ndër mesfushorët më të mirë në Evropë”, ka thënë presidenti i Romës, Jim Pallotta.
“Ne të gjithë do të qajmë kur ai do ta veshë për herë të fundit fanellën e Romës kundër Parmas, por ne e respektojmë dëshirën e tij për të vazhduar të luajë, edhe pse në moshën 36-vjeçare, ai do të jetë larg Romës”.