Sezoni i radhës i zgjedhjeve ka çmendur mediat. Debatet u përngjajnë stresorëve që prodhojnë qytetarin agresiv, intolerant dhe që botën mund ta përjetojë vetëm sipas shabllonit të Carl Schmitt-it: në miq dhe armiq. Se si ai, konsumuesi i mediave sillet politikisht e shohim, por si sillet ai në përditshmëri, kështu i ndezur nga nxitja permanente e mediave; zgjidh çdo konflikt duke shkrepur revolen; duke rrahur gruan, fëmijët ose; duke shkelur qenien?
Kur ndjek një debat në mediat shqipe fiton përshtypjen se nga 5 milionë banorë, 3 milion prej tyre patjetër të jenë eruditë. Për nga gjeneza natyrisht. Nuk ka pyetje rreth sferave terrestrike dhe atyre kozmike që nuk dinë tu përgjigjen. Si ka mundësi? Shqiptarët popull gjenish?
U përgjigjen ngase nuk operojnë me dije. Shoqëritë shqiptare as në gishta nuk mund t’i numërojnë personalitetet erudite; të tipit që munden me kompetencë të flasin në formë interdisciplinare, në një frymë për kulturë, religjion, politikë, antropologji, histori dhe që munden të reflektojnë edhe për ekonomi dhe sfera tjera që e përbëjnë një shoqëri. Dhe po i tha ndonjëri*ës prej tyre se nuk duhet të flas për gjëra që nuk i di, të dënojnë për blasfemi. Disputantët nuk e pësojnë nga ky zhvillim: konsumuesit e debateve të tilla e pësojnë shumë.
I.
Një teolog famëmadh i perëndimit, një nga ata që është betuar të mos lexojë kurrë para- dhe pasthëniet e librave e bëri një polemikë mbi 100 faqëshe kundër filozofit Andreas Urs Sommer, i cili solli një «Apologia Judae» komplet ndryshe nga ajo që di deri tash historia dhe ku «Iesous prodotes»-in e shpallë de fakto mësuesin e Jezu Krishtit e jo tradhtarin e tij. Pas leximit të replikës teologu u bë klouni i opinionit. Ai bënte polemikë me një libër që mbante titullin «Leksikon i veprave imagjinare filozofike» (2012). Autori në parathënie sqaron se ka ndërmend të shkruaj ato vepra që nuk janë shkruar e të thotë ato gjëra që filozofia nuk i ka thënë, natyrisht në kurriz të «DWEMP»-ave (Dead White European Male Philosophers). Kështu aty falsifikohet gjithçka që nga Politeia, Etika e Nikomakut e deri tek «kohët», «hiçët» dhe «dekonstruksionet» e fundit të ditëve tona.
II.
Po ta përmendte teologu faktin se është një «rrëfim alternativ» që parodizon e mund të ketë efektin e narratives të historisë populare, prandaj replikon, kontrapologjia e tij kundër «Apologia Judae»-s imagjinare të filozofit Sommer do dilte njëra nga shembujt se si duhet përmbysur paradat postfaktike me kapital argumentesh ende të pakontestueshme (folur me gjuhën e aparateve metodologjike shkencore). Fatkeqësia e teologut: nuk kishte lexuar si duhet titullin e fare parathënien.
Arsyeja se pse këtë fragment të debateve mijëra kilometra larg Prishtinës e paralelizoj me bisedat agresive publike në shqipe është kodi:
«Si s’po t’ vjen marre me m’ thonë mua s’po di»!
Njëjtë iu drejtua teologu një kolegu të tij gjatë konferencës, i cili i tha: «Ndoshta të ka ikur referenca që përdor Sommer në fund të tekstit për ta shkencëruar pohimin e tij. Ajo daton të jetë e vitit 2018, ndërkaq ne jemi në vitin 2013».
Përgjigja e teologut:
«Si s’të vjen turp, të më thuash mua se s’di të trajtoj burimet si duhet».
E gjithë salla qeshi.
III.
Në rastin zviceran kemi të bëjmë me një teolog të shkëlqyeshëm, i cili nga pakujdesia rrëshqiti akullit dhe u detyrua të pensionohet parakohe. Pasi kërkoi ndjesë natyrisht. Në rastin e debatueses shqiptare kemi të bëjmë me anëtaren e LbnbIE-ve (Living but not being Intelectual Existences), njërit prej klubeve të shumta që merren me banalizimin e dijes odave publike të kulturosferës shqiptare. Ajo vërtetë s’di aq sa për të komentuar ngjarjet politike – qofshin ato ditore apo natore. Ajo nuk bënë analizë ngjarjesh. Ndonjë psikolog do ta interpretonte sjelljen më shumë me ndonjë diagnozë: eksternalizim i pakontrollueshëm i zonave të shtrydhura ndaj atyre që Subjekti i konsideron prodhues të dështimit të tij. Ka marrë diplomën perëndimit duke shpëtuar e jo duke mësuar.
Nuk është personi ad hominem ajo që dua ta trajtoj këtu – ta lëmë. Se përndryshe do duhej ta çorodis lexuesin me raste edhe më brutale, të tipit që kur thonë «Lenini», ky vetëvritet në varr për së milioni herë.
E kemi fjalën për rolin e faktit dhe ndërtimin e disputit mbi të, brenda një diskursi.
Dhe ky është brumi i çdo dështimi për ta organizuar një debat me njerëz që vërtet do t’i ndihmonin opinionit duke dekoduar ngjarjet, politikat, programet në sajë të shkronjës në to e jo në bazë të llafeve të lexuara filxhanëve të shtrigave apo duke stërcituar primatin papagajshëm edhe në gjumë.
III.
Shumica e debatuesve pseudoagorave shqiptare (me përjashtime, të cilat nuk i përmend për shkak se atëherë duhej të bëjë elaborim të gjerë e me fakte e shembuj) nuk e kanë idenë rreth termeve «diskurs«, «fakt», «analizë», «opinion», «përgjegjësi», elemente këto pa të cilat nuk ekziston debati, por vetëm ngatërrimi «retorik» (edhe ky term me kapital të rëndë), zhvillim që nuk ndihmon opinionin në informim, shpjegim të proceseve e dukurive por shkakton më-irritim të tij, përdhosjen e tij si Individ dhe atë në çdo aspekt – e shndërron atë në një qytetar edhe më agresiv, i cili nga çartja (pa përmendur këtu dëmet ndaj sendeve dhe tjerave) rreh gruan, përdhunon vajzën, vret qenin ose edhe më rëndë: vret djalin! Ose burrin po pati mundësi.
IV.
Forma se si bëhen debatet publike ka të bëjë shumë me gjendjen psiqike të një mase që i konsumon ato. Pra roli i medias është i një përgjegjësie madhore karshi shoqërisë. Edhe për këtë mediat quhen fuqi e katërt e jo vetëm ngase korrigjojnë pushtetin (?!). Këtë përgjegjësi ato duhet ta lexojnë si duhet. Dhe nuk do ishte keq që para se të interpretojnë botën jashtë tyre, të merreshin në disa emisione me veten!