Dëbohen mbështetësit e Mlladiq: Kroacia nxjerr jashtë tre serbë të Bosnjes, nderonin kriminelin

Prishtinë | 04 Sht 2026 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Kroacia dëbon nga vendi adhuruesit e Kasapit të Ballkanit, Ratko Mlladiç. Vendimi është marrë nga gjykata në Dubrovnik për tre shtetas nga Bosnje Hercegovina.  Ata humbën kështu lejen e punës dhe të qëndrimit dhe do të përballen me një ndalim tremujor në Kroaci.

Autoritetet në kroaci ndërmjet 28 gushtit dhe 2 shtatorit kanë zhvilluar  hetime penale ndaj tre shtetasve të Bosnjës dhe Hercegovinës, të moshës 31, 30 dhe 25 vjeçar.

Gjatë hetimeve u konstatua se ata kishin publikuar fotografi, simbole, këngë dhe tekste në profilet e tyre publike të hapura në rrjetet sociale, përmes të cilave i bënin homazhe dhe shprehnin mirënjohje ndaj një personi të dënuar për krime lufte.

Sipas policisë, me këto veprime ata shkaktuan ankth, shqetësim dhe pakënaqësi te qytetarët, të cilët kishin bërë disa raportime në polici. “Meqenëse rrjetet sociale janë të qasshme për publikun dhe për një numër të pacaktuar qytetarësh, autorët, në këtë mënyrë, kanë fyer ndjenjat kombëtare të qytetarëve të Republikës së Kroacisë”, deklaroi policia, duke shtuar se ata kishin shkelur dispozitat e Ligjit për Kundërvajtjet kundër Rendit dhe Qetësisë Publike.

Mlladiç, ish komandat i Ushtrisë së Republikës Srpska, u dënua me vendim të formës së prerë me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës në Bosnje Hercegovinë. Vetëm në masakrën e Srebrenicës në 11 korrik të vitit 1995 u ekzekutuan 8 mijë djem dhe burra me urdhër të Mlladiç…sot i nderuar nga Beogradi zyrtar.

Të ngjashme