Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë muaj burgim shtetasin e Malit të Zi, Risto Jovanoviq.
Ai u arrestua nga njësitet speciale të policisë kosovare në Gazimestan në kremtën e Vidovdanit më 28 qershor.
Duke e arsyetuar vendimin në fjalë, gjyqtarja Vlora Pacolli-Rexhepi tha se Jovanoviq është dënuar pasi është dëgjuar duke bërtitur “Vrite shiptarin”, “Ne do ta lajmë Kosovën me gjak”, “Kosova është Serbi”.
Por serbi, shtetas i Malit të Zi, nuk do të mbetet për gjashtë muaj prapa grilavem kjo për shkak se ai në këmbim të këtij dënimi pranoi të paguajë 6.700 euro.
Ndërkohë me një vendim plotësues gjykata urdhëroi dëbimin e Jovanoviqit nga Kosova ku do ta ketë hyrjen e ndaluar për pesë vite.
Jovana Filipoviq, avokate e Risto Jovanoviq, tha se do të apelojë vendimin e gjykatës deklaroi po ashtu se shuma dënuese do të paguhet menjëherë në mënyrë që klienti i saj të kthehet “shpejt në shtëpi”.