Debutimi i patinazhit artistik dhe hokejit në Lojërat Verore

Prishtinë | 25 Dhj 2017 | 13:36 | Nga

Themeluesi i Lojërave Olimpike moderne, Pierre de Coubertin, ishte një avokat pasionant i sporteve dimërore, që rekomandoj të shtohej patinazhi artistik në Kongresin e parë Olimpik në vitin 1894. Ai besonte se sporti ishte “amator nga natyra dhe posedonte një dinjitet sportiv aq të sinqertë dhe të pastër sa që mospërfshirja në programin olimpik do t’i vidhte forcën dhe vlerën”.

Derisa De Coubertin shtynte që të formohej një version dimëror i Lojërave Olimpike, dy sportet, patinazhi artistik dhe hokeji në akull, fillimisht u paraqitën në programin e Lojërave Olimpike Verore.

Patinazhi artistik bëri debutimin në Lojërat Olimpike në vitin 1908 në Londër, ku garat u mbajtën në klubin e patinazhit të Princit në Knightsbridge, shkruan “Olympic.org”, transmeton “Koha Ditore”. Në garën e meshkujve të artën e fitoi suedezi Ulrich Salchow, një emër që është i njohur për tifozët e sportit. “Salchow” të cilin e performoi ai në Botërorin e patinazhit artistik në Budapest në vitin 1909, është një nga gjashtë kërcimet zyrtare të njohura nga Unioni Ndërkombëtar i Patinazhit (ISU).

Suedezi ishte një patinazhist i shkëlqyer si dhe ishte ekspert në veshje që në atë kohë ishte një element shumë i rëndësishëm në vlerësim të jurisë dhe u bë kampioni i parë olimpik në patinazh artistik falë një programi të lirë me plot precizitet dhe fuqi. Bashkëkombësit e tij, Richard Johansson dhe Per Thoren, iu bashkuan në podium, për të siguruar të tri medaljet olimpike për Suedinë.

Në garën e femrave, britanikja Madge Syers u bë kampionia e parë olimpike. Patinazhistja pioniere ishte futur në Botërorin e vitit 1902 pasi kishte zbuluar se nuk ka ndonjë rregull që parandalon pjesëmarrjen e femrave.

Syers kishte dalë e dyta atje dhe bëri paraqitja aq të mirë sa që Salchow, që fitoi garën, tha se ajo ishte fituesja e vërtetë. Syers fitoi me lehtësi në Londër, duke treguar një paraqitje dukshëm më superiore se rivalet e saj.

Patinazhi në çifte, po ashtu, ishte në program, ku juria kishte vlerësuar dyshen gjermane Heinrich Burger dhe Anna Huebler si fitues për performancën e shkëlqyer.

Patinazhi artistik nuk ishte përfshirë në program olimpik në vitin 1912, por u kthye në Antwerp në vitin 1920, ku iu bashkua për herë të parë edhe hokeji në akull. Lojërat Olimpike të vitit 1920 u mbajtën nga 20 gusht deri më 2 shtator, por për shkak të pamundësisë që të krijohej pista e akullt në mesin e verës, dy sportet dimërore mbajtën garat në prill, në “Palais de Glace”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme