Debutimi përrallor i David Martinit mund t’ia ketë shpëtuar punën Pellegrinit

Prishtinë | 02 Dhj 2019 | 09:06 | Nga Ekonomia Online

Nganjëherë të duhet portieri i tretë për ta ndryshuar një stinor. Pasi refuzoi të pranonte për dy muaj atë që shihej qartë, Manuel Pellegrini më në fund tregoi arsye dhe bëri ndryshimin që mund t’ia shpëtojë atij punën si kryetrajner i West Ham Unitedit.

Jashtë mbeti Roberto, një nga portierët ndoshta më të dobët që ka luajtur në Premier League dhe u aktivizua David Martin, një portier 33-vjeçar shtegtar që kurrë nuk ka mundur të imagjinonte se debutimi i tij për West Hamin do të vinte në fitoren 1:0 në “Stamford Bridge” ndaj Chelseat.

Më mirë vonë se kurrë. West Hami ishte i tmerrshëm, ndërsa Roberto e zëvendësoi të lënduarin Lukasz Fabianski, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Spanjolli 33-vjeçar shkatërroi besimin e katërshes së mbrojtjes, duke bërë një sërë gabimesh dhe duke mos demonstruar as afër pse Mario Husillos, drejtori i futbollit te klubi, e kishte shënjestruar atë verën e kaluar, apo pse Pellegrini ishte aq entuziast me transferimin e tij.

Por mister është se çfarë e bindi Pellegrinin, që madje kishte dashur të bënte Roberton edhe portier të parë para se të transferonte Fabianskin në vitin 2018, që të qëndronte me spanjollin. Pellegrini 66-vjeçar duket se e kishte pikë të dobët Roberton, duke bërë që edhe hierarkia e West Hamit të vinte në pyetje vendimin e tij. Kishte alarm te klubi në fillim të javës së kaluar, kur Husillos i tha kolegëve të tij se nuk sheh probleme me ish-portierin e Espanyolit. Ishte e qartë se diçka duhej të ndryshonte pas një performance tjetër dëshpëruese nga Roberto në humbjen 3:2 fundjavën e kaluar nga Tottenhami.

Pellegrini ishte nën presion të madh, pasi West Ham po shqyrton ta zëvendësojë atë. Por bordi i West Hamit është ende i ndarë për këtë. Një pjesë vlerëson se Pellegrini duhet gjykuar kur të kthehet Fabianski në fund të dhjetorit. Të tjerët, ishin pranë të humbnin durimin dhe po të kishte pësuar humbje nga Chelsea, vlerësohet se shkarkimi i tij në mesjavë do të ishte thuajse i sigurt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme