Dukagjin Gorani nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Deda nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa dhe Rasim Selmanaj janë të parët që kanë nisur regjistrimin.
Pas regjistrimit, deputeti nga Alternativa që është në koalicion me LAA-në, Ilir Deda ka thënë se asnjë deputetë nga ky koalicion nuk do të votojë Kadri Veselin për kryetar Kuvendi, e as Ramush Haradinajn për Kryeministër, raporton Ekonomia Online.
Madje ai ka akuzuar PAN-in për presion dhe shantazhe ndaj deputetëve të LAA-së.
“Nuk ka deputet të koalicionit tonë që do t’i jap votë PAN-it, nuk do t’i japim votë Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit dhe nuk do t’i japim votë zotit Haradinaj që të krijojë qeverinë me PDK-në. Kjo është e qartë e thjeshtë e çka mbetet të shihet është seanca e 3 gushtit do ta shohin të gjithë se kjo mjegull ka pasur për qëllim bastardimin e skenës politike në Kosovë dhe degradimin e rregullës bazikë që veç partitë politike mund të krijojnë qeverinë’, ka thënë ai.
Deda ka thënë se do të presin dështimin e PAN-it, mandej do të mbledhin nënshkrimet e duhura ku do të vërtetojnë se e kanë shumicën parlamentare për të formuar institucionet e reja.
Regjistrimi është paraparë të bëhet gjatë tri ditëve (26, 27, 28 korrik). Ndërsa seanca konstituive do të mbahet më 3 gusht, ku do të bëhet betimi i deputetëve.
Gjithashtu në këtë seancë pritet të zgjidhet edhe kryetari i ri i Kuvendit si dhe nënkryetarët, por koalicioni fitues i zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma (PAN) ende nuk ka bërë publike emrin e kandidatit për kryetar. Gjithashtu ende nuk dihet nëse ky koalicion i ka votat e nevojshme (61) për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe të Qeverisë së re.