Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka bërë një listë të gjërave primare që Qeveria e re e Kosovës duhet të bëjë.
Sipas tij, Kosova duhet t’i përmbushë ato pika që ai ka renditur ose në të kundërtën ikjet e qytetarëve do të vazhdojnë.
Deda tha se në rrafshin ndërkombëtar, Kosova duhet menjëherë ta suspendojë taksën ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, duke shtuar se për këtë nuk Kosova nuk do të pyetet pasi që ndërkombëtarët presin përfundimin e dialogut me Serbinë.
Ja postimi i tij i plotë:
Përtej politikës ditore, që në masë të madhe nuk vlen as të përcillet, fokusi kryesor duhet të jetë në atë se çka e pret Qeverinë e ardhshme (e cila duhet t’i ketë maksimum 15 ministri).
Që të ketë çfarëdo suksesi garnitura e ardhshme qeverisëse, të gjithë duhet t’i dinë cilat masa duhen të merren, dhe cilat janë çështjet prioritare që duhen të zgjidhen – dhe atë në 100 ditët e para. Ose ikja vazhdon, dhe izolimi rritet.
Ja një listë, me disa nga prioritet, në rrafsh të brendshëm dhe të jashtëm.
Në rrafshin e brendshëm, brenda 100 ditëve të para:
1. Duhet të ndërrmiren masa për zhvillim ekonomik dhe punësim, duke i siguruar më së paku € 200 milion për këtë, ose ikja vazhdon. Gjithashtu, duhet rishikim i thellë i buxhetit që të ç’bllokohen paratë nga asfalti dhe të drejtohen në investim ekonomik.
2. Ngritje thelbësore e besimit dhe mirëkuptimit me bashkësitë minoritare etnike.
3. Duhet të ndërrmiren hapa të shpejtë për ç’kapje të shtetit, hapat e guximshëm për luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar duke a) bërë kallëzim penal për keqpërdorim të buxhetit publik në të gjitha ministritë ku diçka e tillë ka ndodhë; b) duke goditur rrjetet kriminale në vend; c) departizim të bordeve të agjensioneve publike dhe uljen e numrit të tyre; d) fillimin e hetimit të pasurisë së paligjshme të figurave me profil të lartë.
(Po, brenda 100 ditëve të para). Ose ikja vazhdon.
4. Pastrimin e listave të veteranëve të rrejshëm dhe pastrim të listave të përfituesve të rrejshëm të skemave të ndryshme sociale.
5. Ah po, edhe do të fillojë ngritja e aktakuzave ndaj figurave kyqe politike nga Prokuroria Speciale e Gjykatës Speciale. Qëndrimi i Qeverisë së re nuk guxon të jetë folklorik.
Ose ikja vazhdon.
Në rrafsh ndërkombëtar, Kosovës nuk do t’ia “vesin letrat” dhe brenda 100 ditëshit të parë do të përballet me pritje të përfundimit të dialogut me Serbinë, dhe aty pritet që Kosova:
1. Menjëherë ta suspendojë taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës;
2. Nuk do të ketë shumë kohë për konsolidim. Qeveria e re duhet të ndërtojë platformë në dialog me Serbinë që ta ruaj sovranitetin dhe integritetin territorial dhe duke punuar në gjetjen e një zgjidhjeje optimale për vetëqeverisjen e serbëve në Kosovë.
Nuk ka “nuk munden”, vetëm “duhet”. Ose pason izolimi më i thellë, e ikja nga Kosova do të vazhdojë.