Defektet serioze të Draftstatutit të Asociacionit

Prishtinë | 12 Dhj 2023 | 23:36 | Nga Muharrem Nitaj

Draftstatuti për Asociacionin ka mangësi të mëdha.

Disa që janë më thelbësore dhe që kanë efekt të drejtpërdrejtë në sovranitetin dhe pavarësinë e vendit, rendin kushtetues dhe funksionalitetin e pushtetit qendror, pas fillimit të implementimit të tij, janë:

I. Defekti i parë serioz është Preambula.
Preambula citon dokumente të ndryshme juridike. Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, citohen në mënyrë manipulative sepse asnjëra prej tyre nuk është relevante për Bashkësinë e Komunave më Shumicë Serbe: Pse?! Sepse Kushtetuta e Kosovës nuk mund të citohet në një akt nënligjor siç është Statuti, pa pasur një ligj amë- që rregullon organizimin dhe funksionalizimin e punës së Bashkësisë Serbe. Ligjet e cituara, ndërkaq, kanë të bëjnë me nivele të qeverisjes që nuk ekzistojnë në Kosovë: ato ligje kanë të bëjnë me qeverisjen lokale, jo me autonomi politiko-territoriale që themelohet me këtë statut.

Përveç këtyre, Preambula citon Rezolutën 1244, që përbën nje problem shumë serioz dhe të papajtueshëm me pozicionin kushtetues të Kosovës. Rezoluta 1244, garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë, jo të Kosovës. Çdo përfshirje në Statut e Rezolutës 1244 është në kundërshtim me sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe manifestohet për sa vijon:

a) zhvlerëson vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë;

b) pamundëson trashëgiminë e kufijve të Kosovës të vitit 1974 në raport me Serbinë, siç është bërë me Malin e Zi dhe me Maqedoninë;

c) asnjë aspekt i trashëgimit ndërkombëtar në mes të dy vendeve nuk mund të vlejë;

ç) çdo pronë publike dhe çdo gjë tjetër që ka pasur Serbia deri me ditën e bombardimit të NATO-s, kalon në Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, siç është menaxhimi i pronës, planifikimit hapësinor dhe planit zhvillimor, arsimi, shëndetësia dhe cdo gjë tjetër, përveç mbrojtjes së jashtme. Serbët kanë të drejtë të formojnë agjenci të pavarur për pronat publike dhe do të jenë të pavarur në menaxhimin e ujërave, rrymës dhe krejt shërbimet tjera komunale në komunat që hyjnë në Bashkësinë e Komunave Serbe.

II. Materia që rregullon Statuti, në thelb është materie kushtetuese, d.m.th. objekt i rregullimit të Statutit të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe janë marrëdhëniet e pushtetit që kanë të bëjnë me komunitetin serb, përfaqësimin e tyre politik, institucional, kulturën, historinë dhe trashëgiminë e tyre. Kjo nënkupton që organet e pushtetit qendror duhet të vihen në shërbim të Bashkësisë së komunave serbe dhe jo anasjelltas: pushteti qendror asnjë pjesë të kushtetutës që ka të bëj me komunitetin serb më nuk mund ta diktojë.

III. Statuti, rivalizon pushtetin qendror në dy drejtime: e para, prish karakterin unitar të shtetit të Kosovës, sepse me kushtetutën e Kosovës “njësi themelore territoriale

IV. të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës janë komunat”; e dyta, ia merr pushtetit qendror të gjitha prerogativat në sferën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit hapësinor, planit zhvillimor, çështjeve kulturore dhe historike, krejt kur këto kanë të bëjnë me komunitetin serb. Kjo njëkohësisht është diskriminim sepse privilegjohet një komunitet kundrejt krejt të tjerëve, përfshirë shqiptarët si popull shumicë dhe si komunitet pakicë në pjesët e caktuara të vendit. Në fakt, shqiptarët më së shumti diskriminohen pikërisht për shkak se janë shumicë në Kosovë. Pos kësaj Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, i ruan të gjitha përfitimet që i garanton Kushtetuta e Kosovës, sic janë vendet e rezervuara dhe vetoja në Parlamentin e Kosovës.

Plani Ahtisaari u ka dhënë krejt të drejtat komuniteteve, por në nivel komunal dhe duke u bazuar në kontroll kushtetues e ligjor nga pushtetit qendror. Kjo është krejtësisht tjetër. Këtu të drejtat e arsimit, shëndetësisë, kulturës, planifikimit hapësinor dhe zhvillimor dhe tjetër, realizohen jashtë kontrollit kushtetues e ligjor të autoriteteve qendrore. Kjo është në pajtim me Rezolutën 1244, por jo me Kushtetutën e Kosovës. Kjo shihet më së miri në faktin se sferat e arsimit dhe shëndetësisë nga Serbia ushtrohen përmes institucioneve private. Pse? Sepse Serbia si shtet sovran dhe i pavarur konsiderohet sovrane në bazë të Rezolutës 1244, por që pushteti sovran i saj është suspenduar përkohësisht. Për të ushtruar këtë sovranitet, ajo kontrollin arsimin dhe shëndetësinë serbe, por për t’i ikur vulave apostile dhe dokumentacionit përfundimtar të Kosovës në këto dy sfera, ka komisionuar agjencitë private, në mënyrë që në fund diplomat të konsiderohen sikur të jenë marrë në Serbi. Një fakt tjetër që provon këtë është edhe çështja e pasaportave të lëshuara nga Zyra për Kosovë e Metohi, që BE po i njeh, pikërisht duke u bazuar në këtë që po them unë.

Statuti dhe krejt kjo është derivat i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ankesit të Ohrit. Para këtyre, siç dihet, pasaportat e serbëve të Kosovës kanë qenë të përjashtuara nga BE dhe nuk janë njohur për liberalizim kur Serbia mori atë vite më parë.

V. Statuti nuk ka të bëjë me asociacion, por me Bashkësi të komunave serbe. Pra nuk flitet për Asociacion të komunave me shumicë serbe. Po të ishte asociacion, nuk do të mund të kishte këto kompetenca. Vetëm një bashkësi mund të ketë kompetenca dhe mund të jetë entitet nga e drejta publike (shtetërore). Emrin e ka fiktiv dhe vetëm deri të nisë funksionimi i tij. Pastaj e ndryshojnë sepse ndryshimet e Statutit kur të kontrollohen nga Gjykata Kushtetuese, pikë referimi nuk e kanë Kushtetutën e Kosovës të 15 prillit 2008, por atë vendim që tani e merr Gjykata Kushtetuese lidhur me Statutin.

VI. Statuti jep kompetenca shtesë për Gjykatën Kushtetuese dhe organet qendrore, që nuk ka shembull në histori kësisoj.

VII. Statuti formon një arbitrazh, mekanizëm për zgjidhje të mosmarrëveshjeve. Vetë përbërja e tij tregon që hartuesit e tij nuk i besojnë Kosovës, Kushtetutës ë Kosovës, si dhe atyre që udhëheqin me te. Çdo herë do jenë dy vota të barabarta, një anëtar i Asociacionit e një i pushtetit qendror. Sa herë nuk do të ketë pajtim për anëtarin e tretë, këtë e vendos BE-ja e jo Kosova. Ky arbitrazh do të vendos për çështje jashtë çdo logjike të një vendi sovran dhe të pavarur. Konfliktin për kompetencë dhe mosmarrëveshjet në mes të organeve të shtetit, atyre qendrore në mes veti dhe në raport me organet e nivelit më të ulët, në krejt Evropën, vendosen nga gjykatat kushtetuese ose nga gjykatat tjera të themeluara special për këtë qëllim (siç është Franca, Turqia, ku kanë gjykata të posaçme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mes të organeve të pushtetit, qendrore dhe lokale), ndërkaq në rastin e Kosovës, vendos një Komison Arbitrazhi, që është jashtë kompetencave të Kosovës.

VIII. Pushteti që formohet me Statut është pushtet rival, konkurrent në raport me pushtetin qendror, sepse ushtron të gjitha kompetencat e pushtetit qendror që kanë të bëjnë me serbët lokal, Kishën Ortodokse Serbe dhe historinë, kulturën dhe trashëgiminë e tyre.
IX. Draft- Statuti, nëse miratohet kështu sic është, mund të krijojë një bazë serioze për autonomi politike territoriale që e rrezikon karakterin unitar të Vendit. Prandaj draftstatuti duhet të korrigjohet. Minimalisht të hiqet rezoluta 1244 dhe Arbitrazhi.

Të ngjashme