“Defender Europe 2025”, njohësi i sigurisë: Mbështetja e Kosovës nga NATO dhe ShBA, mesazh edhe për Serbinë

Prishtinë | 01 Qer 2025 | 08:30 | Nga Ekonomia Online

Kosova është ndër nikoqire të ushtrimit më të madh ushtarak ndërkombëtar të drejtuar nga Ushtria e SHBA-së për Evropë dhe Afrikë – “Defender Europe 2025”.

Njohësi i sigurisë, Avni Islami, në një intervistë për Ekonomia Online, e konsideron këtë sinjal të fuqishëm të mbështetjes së aleancës veriatlantike për Kosovën, duke theksuar se pjesëmarrja në këtë ushtrim tregon pozicionin strategjik të vendit dhe afërsinë me vendet e NATO-s dhe SHBA-në.

Sipas Islamit, ky zhvillim është një paralajmërim i qartë për Serbinë dhe të gjithë ata që nuk e duan të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

“Mbajtja e ushtrimeve në shumë shtete dhe përfshirja e Kosovës në ‘Defender 2025’ është një sinjal pozitiv dhe një gatishmëri e aleancës veriatlantike që Kosova është pjesë strategjike e vendeve të NATO-s, por edhe SHBA-së. Në njëfarë forme është një sinjal pozitiv dhe përçues ndaj Serbisë dhe të gjitha atyre që nuk ia duan të mirën Kosovës, sepse vendi ynë është rreshtuar krah vendeve perëndimore dhe se në një të ardhme jo të largët Kosova do të jetë pjesë e aleancës veriatlantike dhe me angazhimin e ushtrisë së Kosovës, vendi ynë nuk do të konsumojë siguri, por do të importojë paqe dhe siguri, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon”, tha ai.

Islami vlerëson se Kosova nuk konsumon siguri, por eksporton paqe dhe stabilitet në rajon”, duke shtuar se Forca e Sigurisë së Kosovës po transformohet në një ushtri moderne që kontribuon përtej kufijve të saj.

“Kosova është target i sulmeve të Serbisë, sepse Serbia ende ëndërron që një ditë Kosova të jetë pjesë e saj. Mirëpo, për shkak të forcave në terren dhe që në Kosovë është aleanca veriatlantike, edhe pse nuk jemi pjesë e saj, sovranitetin territorial e garanton NATO-ja. Prandaj, çdo tentativë dhe tendencë e ndonjë sulmi klasik brenda territorit të Kosovës do të thotë sulm ndaj aleancës. FSK-ja gjithnjë e më tepër po konsolidohet dhe po e merr formën e një ushtrie moderne, e cila do të prodhojë paqe dhe siguri, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Konsideroj që pjesëmarrja në ‘Defender Europe 2025’ e përçon një mesazh edhe për Serbinë që të mos guxojë të ndërmarrë ndonjë veprim aventurier. Çdo kërcënim ndaj territorit të Kosovës do të shihej si kërcënim ndaj vetë aleancës së NATO-s, e cila garanton sovranitetin dhe sigurinë e vendit”, tha për EO, Islami.

Të ngjashme