Në rastin ku ish-kryetari i Leposaviq-it, Dragan Jabllanoviq dhe të akuzuarit tjerë ngarkohen për korrupsion e krim të organizuar, të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë dëgjuar dëshmitarët, Radojsh Mihajloviq dhe Dragisha Llakiceviq.
Në këtë rast, aktakuza ngarkon Jabllanoviqin për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Fillimisht dëshmitari Mihajloviq duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Burim Çerkini ka sqaruar se në periudhën 2015-2017, kur Jabllanoviq kishte qenë kryetar i komunës së Leposaviqit, tha se kishte qenë këshilltar komunal në Leposaviq dhe se e kishin përfaqësuar të njëjtën parti politike në atë kohë.