Në gjykimin për krime lufte ndaj Salih Mustafës, të hënën po dëgjohet dëshmitari i dytë i mbrojtjes, Ahmet Ademi, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Mustafës, ka shpjeguar veprimtarinë e Kryqit të Kuq të Kosovës gjatë viteve ‘97-99.
Dëshmitari Ademi deklaroi se nga mosha 28 vjeçare e deri në vitin 1997 kishte punuar në Kryqin e Kuq të Kosovës.
Ndërsa, gjatë vitit 1997 ai tha se punëtorët shqiptarë ishin larguar nga puna nga serbët, me ç’rast të njëjtit kishin vepruar ilegalisht duke hapur zyrë të Kryqit të Kuq të Kosovës.
“Kryqi i Kuq i Serbisë na dëboi nga puna më 1997, për arsye se Kryqi i Kuq nuk donte me ditë na shqiptarët çka po bëjnë ata, çka po veprojnë ata, për ata arsye na kanë largu nga puna. Në vitin 1997 me profesorin Isuf Dedushaj, me anëtarët tjerë kemi hapur një zyre të Kryqit të Kuq ilegalisht, i cili ka vepruar në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën ta quaj”, tha ai.
Fillimisht, këtë zyrë dëshmitari tha se e kishin hapur në lagjen “Dardania”, e që cila kishte ekzistuar deri në vitin 1998, ku kishte punuar edhe tani mjeku i ndjerë, Shpëtim Rrobaj.
Kurse, më pas tha se për shkak të hapësirës të njëjtit kishin hapur zyrën e dytë në një shtëpi private të një qytetari, rrugës për në Gërmi.
“Pas vdekjes së Shpëtim Rrobaj, zyra në ‘Dardani’ u shpartallua dhe kemi filluar punën në zyrën rrugës për Gërmi, dhe aty kemi vendosur që të punojmë që të gjithë, sepse aty u bë një jetë shumë më e vështire dhe filluam të punojmë me një staf më të reduktueshëm”, shtoi dëshmitari.
Ai ka deklaruar se Kryqi i Kuq serb kishte vazhduar të punojë, mirëpo siç tha, ata e kishin parë të nevojshme të krijohej Kryqi i Kuq i Kosovës me qëllim të daljes në ndihmë të popullatës shqiptare, pasi që të njëjtit nuk kishin mundësi të furnizoheshin siç duhej me ndihma.
“Nuk kanë mujt m’u furnizu siç duhet, po mendoj me gjana ushqimore, shtrojë, mbulojë, qumësht për fëmijë, ata s’kanë mujt me marrë se një arsye ata i urrenin popullatën shqiptare”, u shpreh Ademi.
Pajisjet mjekësore, dëshmitari tha se të njëjtit i kishin marrë përmes donacioneve nga njerëz të ndryshëm, nga fondi “Vendlindja thërret” dhe një barnatore që e kishin afër zyrës.
Kurse, sa i përket shpërndarjes, dëshmitari deklaroi ata kishin qenë 7 persona të cilët ndihmat i kishin shpërndarë në zona të ndryshme dhe atë të Drenicës, Llapit, Gollakut dhe në Gjilan.
“Shpërndarjen e kemi bërë shumë me vështirësi, në disa kemi qenë ne disa vinin popullata tek ne në zyrë, disa i çonim ne, afër shkonim me automjete, tani pjesën tjetër shkonim në këmbë me çanta në shpinë tu i ç’u nëpër fshatra. Ka pasur persona të caktuar të cilët kanë ardhur tek ne i kanë marrë materialet dhe i kanë dërguar ato nëpër fshatra, qytete”, tha ai.
Për shpërndarjen e këtyre ndihmave, dëshmitari tha se gjatë viteve 1998 deri më 1999 ka pasur vështirësi të mëdha sepse sipas tij e tërë kjo shpërndarje është bërë në mënyrë ilegale fshehurazi nga ushtria serbe meqenëse të njëjtit do t’i maltretonin po t’i kapnin.
“Edhe ata, por edhe anëtarët tonë të cilët kanë qenë në terren se s’kemi pasur mjete për t’i dërguar ato nëpër pika të caktuara sepse gjithmonë jemi tut nga policia serbe, kemi shkuar aty për t’i dërguar senet fshehurazi për mos me na pa policia për këto çka po çojmë ne, barna, qumësht, pelena etj, do të thotë krejt fshehurazi i kemi dërguar ato, gjithmonë me frikë kemi shkuar”, tha ai.
E kjo situatë, sipas dëshmitarit është vështirësuar edhe më shumë gjatë sulmeve ajrore nga NATO-ja, pasi që siç tha ai policia serbe ishin bërë më të ashpër.