Dejona Mihali nga Lëvizja Vetëvendosje ka rikthyer në vëmendje një fjalim të ish-deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimit, të mbajtur më 26 qershor 2015 në Kuvendin e Kosovës, gjatë debatit për themelimin e Gjykatës Speciale.
Në postimin e saj, Mihali ka publikuar fjalimin e plotë të Selimit, i cili në atë kohë kundërshtonte themelimin e Gjykatës Speciale, duke argumentuar se ajo, sipas tij, rrezikonte të dëmtonte imazhin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vetë shtetin e Kosovës.
Selimi kishte theksuar se kundërshtimi i tij nuk ishte kundër drejtësisë, por kundër asaj që e konsideronte padrejtësi.
“Kundërshtimi ynë për një gjykatë të tillë nuk është kundërshtim ndaj drejtësisë, por është kundërshtim ndaj padrejtësisë. E kjo çfarë këta po kërkojnë, është e padrejtë.”
Në fjalimin e tij, Selimi kishte kundërshtuar edhe pretendimet për përfshirjen e UÇK-së në krime të organizuara, duke iu referuar gjetjeve të raportit të Dick Martyt dhe hetimeve të kryera nga Task-Forca Speciale.
“Ne besojmë, se provat janë bindëse, që këto vepra nuk ishin vepra të individëve batakçinj që kanë vepruar me dëshirën e vetë, përkundrazi, ato janë kryer në mënyrë të organizuar”, citoi Selimi nga raporti.
Selimi kishte deklaruar se një votë pro themelimit të Gjykatës Speciale do të kishte pasoja për mënyrën se si do të vlerësohej lufta e UÇK-së dhe trashëgimia e saj.
“Kjo gjykatë, pra, po kërkon t’ia ngarkojë Kosovës dhe qytetarëve të saj, në përgjithësi shqiptarëve, spastrimin etnik.”
Ai kishte bërë thirrje që deputetët të votonin kundër, duke e cilësuar këtë si një çështje me rëndësi historike për vendin.
“Në mes dy të këqijave duhet t’i refuzojmë të dyja.”
Në fund të fjalimit, Selimi kishte apeluar te deputetët që vendimin ta merrnin duke pasur parasysh familjet e dëshmorëve, bashkëluftëtarët dhe të ardhmen e Kosovës.
“Kërkoj edhe njëherë që vota kundër t’ju rreshtojë në anën e duhur, në anën e familjeve tuaja, bashkëluftëtarëve tuaj, në anën e dëshmorëve të lirisë, në anën e Kosovës.”
Fjalimi i Selimit mban datën 26 qershor 2015, ndërsa është rikthyer në vëmendje përmes postimit të Dejona Mihalit.