Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se pas deklarimeve të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani në emisionin “Betimi për Drejtësi”, ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime hetimore për pretendimet e ngritura.
“Prokurori i shtetit, ka përcjellë me vëmendje deklarimin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese z. Enver Hasani, të dhënë në emisionin ‘Betimi për Drejtësi’, i transmetuar me datë 25.02.2026, i cili ndër të tjera ka deklaruar se për rastin e denoncuar nga ana e tij, nuk është ftuar nga prokuroria.Marrë parasysh këtë rrethanë, sot me datë 26.02.2026, pokurori i shtetit ka lëshuar autorizim Policisë së Kosovës me qëllim që të ndërmerren veprimet hetimore, konform pretendimeve të ngritura nga z. Hasani në emisionin e lartcekur se posedon dëshmi lidhur me çështjen e denoncuar nga ana e tij, krejt kjo në drejtim të zbulimit të veprimeve inkriminuese të personit apo personave të dyshuar lidhur me këtë çështje, si dhe sigurimit të informatave dhe provave shtesë, me qëllim të zbardhjes së tërësishme të rastit. Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar që çdo çështje që i vihet përpara ta trajtoj me profesionalizëm dhe në përputhje të plotë me legjislacionin e zbatueshëm të Republikës së Kosovës, me qëllim që për çdo rast të hetohet në tërësi dhe arritjes së drejtësisë për të gjitha palët e përfshira”, ka njoftuar prokuroria.
Profesori Envar Hasani, në intervistën dhënë për “Betimi për Drejtësi”, kishte thënë se ka dëshmi se dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka ka diplomën e doktoratës të falsifikuar, gjithashtu punimin tjetër të doktoratës e ka plagjiaturë. Për, këtë ai ishte shprehur se nuk është ftuar asnjëherë nga prokuroria për të dhënë provat e tij.