Monika Lubonja nuk e pati aspak të vështirë të deklarojë hapur urrejtjen që ka për aktoren e njohur të Teatrit të Kukullave, Shegushe Bebeti. E ftuar në “Zonë e Lirë”, drejtoresha e skenës së fëmijëve duket se e teproi me sinqeritetin teksa pyetjes së Çanit, se cilën nga aktoret do të zhdukte nga teatri, ajo iu përgjigj me plot gojën: Shegushe Bebeti. Ndonëse u përpoq të shpjegohej se si aktore, vartësja e saj është mjaft e mirë, shprehja e drejtoreshë Lubonjës rezonoi shëmtuar në ekran.
E para që reagoi për deklaratën e Monika Lubonjës ishte Fiori Dardha e cila e quajti tmerr ngjarjen, duke i dalë në krah Shegushe Bebetit. Por, pa kaluar shumë kohë dhe aktorja e qindra roleve të Teatrit të Kukullave ndau me publikun këtë mesazh: “Të them të drejtën nuk jam aspak e frikësuar nga deklaratat e papërgjegjshme të titullares, sepse unë e kam bërë karrierën me talent, përkushtim dhe punë të palodhur. Edhe pse për momentin shtanga kur më thanë, pasi e pashë në ritransmetim thashë me vete që zoti i rregullon gjërat me dorë. Duhej të dilte publikisht që publiku ta njohë dhe ta kuptojë se kush e drejton institucionin më të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve, Teatrin e Kukullave. Mjerim!”, ka shkruar Shegushja.
Mosmarrëveshjet mes aktores dhe drejtoreshës kanë ekzistuar që prej ardhjes në krye të Lubonjës në Teatrin e Kukullave. Por, tashmë sulmi me sa duket mori përmasa publike.