Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova në shkurt të këtij viti u tha diplomatëve evropianë se ka përpjekje për ta minuar punën e gjykatës. Por avokatët e Nasim Haradinajt besojnë se janë deklaratat e Trendafilovës atëherë, ato që e kanë minuar pavarësinë dhe paanshmërinë e Speciales.
Gjatë një takimi konfidencial me diplomatët e Bashkimit Evropian më 11 shkurt, kryetarja e Gjykatës Speciale i kishte paralajmëruar ata për rritje të disa përpjekjeve që thoshte se po bëhen për ta minuar punën e kësaj gjykate.
Ai u kishte folur diplomatëve për tri rastet me të cilat po merrej kjo gjykatë: rastin Mustafa, rastin Thaçi (ku përfshihen Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi) dhe rastin Gucati/Haradinaj.
“Përpjekjet për t’i minuar institucionet tona (Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar) nuk kanë pushuar dhe me gjasë do të rriten në forma të ndryshme, përderisa zhvillohen procedurat gjyqësore”, citohet të ketë thënë Trendafilova aty.
Ajo kishte thënë se në mesin e këtyre përpjekjeve kishin qenë edhe thirrjet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ta rishikonte vendimin për themelimin e Gjykatës Speciale.
“Ngjashëm janë bërë thirrje për mbledhjen e nënshkrimeve për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që edhe pse në aspektin ligjor nuk mund të ndodhë, mund të kenë pasoja problematike nëse merren parasysh nga Qeveria e Kosovës”, shprehej kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.
Ajo shqetësohej edhe se mund të amandamentohej ligji për ta mundësuar faljen e atyre që do të dënohen nga Gjykata Speciale.
“Mund të bëhen përpjekje për të amendamentuar ligjin për të lejuar faljen e atyre që dënohen nga Dhomat e Specializuara apo që ta zhvendosin Gjykatën ose arkivin e saj apo të dyjat bashkë në Kosovë”, iu ka thënë Trendafilova diplomatëve evropianë.
Trendafilova shprehej e shqetësuar edhe për dëshmitarët që do të bashkëpunonin me këtë gkjykatë.
“Kjo sigurisht që do të rrezikonte jetën dhe sigurinë e njerëzve që kanë ose do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne. Ndryshime të tilla, sigurisht do të kishin një efekt tronditës për dëshmitarët, të cilët mund të mos dëshirojnë të paraqiten tash e tutje, duke e bërë kështu të pamundur që Prokurori i Specializuar të vazhdojë me çështjet e tij”, kishte thënë ajo.
Në këtë takim, mbajtjen e të cilit e kishin pranuar edhe nga vetë Gjykata Speciale, ajo u kishte kërkuar shteteve evropiane që të bashkëpunonin për t’ua mundësuar dëshmitarëve zhvendosjen në ndonjë shtet tjetër evropian.
“Pa këto marrëveshje, do të jetë shumë e vështirë nëse jo e pamundur në disa raste, për të siguruar që dëshmia mund të jepet lirshëm dhe pa ndonjë frikë. Bashkëpunimi është krucial dhe mund t’u kërkohet shteteve që të ngrijnë asetet apo edhe për transferimin e personave të caktuar nga territori i tyre për në selinë e Dhomave të Specializuara në Hagë ”, kishte thënë Trendafilova.
Avokatët e Nasim Haradinajt kërkojnë përjashtimin e Ekaternia Trendafilovës
Toby Cadman dhe Carl Buckley, avokatë të nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinajt besojnë se kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, dhe zëvendësi i saj, gjykatësi Cherles Smith po ia mbajnë anën Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe se po e minojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e kësaj gjykate. Kësisoj, ata kanë kërkuar përjashtimin e të dyve.
Në një shkresë të dorëzuar të mërkurën e javës së kaluar, që mban kërkesën specifike për përjashtim si titull me shkronja të mëdha, avokatët e Haradinajt shruajnë se kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova, me disa deklarata e ka minuar gjyqësorin e pavarur dhe të paanshëm.
“Deklaratat e Kryetares Trendafilova në një njoftim konfidencial diplomatik minojnë gjyqësorin e saj të pavarur dhe të paanshëm, vendimmarrjen dhe përfaqësimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe dëmtojnë seriozisht administrimin e drejtësisë para Dhomave të Specializuara ose funksionimin e Dhomave të Specializuara në mënyrën e duhur dhe atë të Kryetares Trendafilova”, thuhet në parashtresë.
Avokatët shkruajnë tutje se të drejtat dhe interesat e Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit preken ndjeshëm nga prania e kryetares së Gjykatës Speciale, në cilësinë e saj si përfaqësuese si dhe në cilësinë e saj si gjykatëse. Ata besojnë se ka rrezik që kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova të abuzojë me autoritetin e saj, duke promovuar dhe favorizuar versionin e Prokurorisë.
Çfarë tha kryetarja e Gjykatës Speciale, sipas avokatëve të Nasim Haradinajt?
Mbrojtja e nënkryetarit të OVL-së, Nasim Haradinaj, thotë se Ekaterina Trendafilova u ankua për avokatët e të akuzuarve dhe se i ka akuzuar ata për vonesën e procedurave paragjyqësore. Gjithashtu thuhet se ngitjen e çështjes së mospranisë së flamurit të Kosovës në Gjykatën Speciale, Trendafilova e ka cilësuar si provokim ndaj gjykatësit të procedurës paraprake.
“Kryetarja u ankua se [REDAKTUAR] numri i avokatëve po e ndërlikon punën e Dhomave të Specializuara, duke nënkuptuar se mbrojtja është në një farë mënyre përgjegjëse për vonesa në procedurë. Lidhur me një pyetje se pse Dhomat e Specializuara nuk e shfaqin flamurin e Kosovës [REDAKTUAR], ose stemën, Kryetarja e quajti këtë një provë dhe provokim të gjykatësit të procedurës paraprake [REDAKTUAR ]”, thuhet në shkresën e mbrojtjes.
Tutje, thuhet se kryetarja e Speciales kishte thënë se ka nisur një fushatë e orkestruar shpifëse kundër Dhomave të Specializuar.
Kryetarja e Speciales thuhet se ka marrë pjesë në këtë panel konfidencial duke raportuar së bashku me Prokurorin Special,
“Vihet re se deklaratat e bëra nga Prokurori Special u bënë në prani të Kryetares. Asnjë përpjekje nuk u bë nga Kryetarja për t’u distancuar nga pozicioni i avancuar dhe as nuk u bë një përpjekje nga ajo që të ofrojë ndonjë pikëpamje të kundërt. Më tej, thjesht prania e Kryetares në panel me Prokurorin Special ku u diskutuan rastet në vazhdim krijon një situatë të pamundur për Kryetaren që ta marrë çdo vendim administrativ apo gjyqësor në mënyrë të paanshme. Kështu, Kryetarja, përmes akteve të saj dhe lëshimeve, miratoi pozicionin e Prokurorit Special, dhe si rezultat ka minuar rrënjësisht paanësinë dhe pavarësinë e saj”, thuhet ndër tjerash në shkresën e avokatëve të Nasim Haradinajt.
Deklaratat e Trendafilovës cilësohen të pabazuara, të padrejta dhe joetike nga avokatët e Nasim Haradinajt. Ata shkruajnë se kjo nuk duhet të tolerohet.
Si përfundim, dy avokatët Cadman dhe Buckley kanë kërkuar që kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova të përjashtohet për t’i kryer rolet e saj, pasi mendojnë se kjo është në interes të drejtësisë.
“Për arsyet e parashtruara më lart, me respekt paraqitet se është në interesat e drejtësisë që: a Kryetarja të përjashtohet ose skualifikohet për të përmbushur çdo rol gjyqësor, rol administrativ ose menaxhimin e rastit në rastin në fjalë, duke përfshirë – por jo i kufizuar vetëm në këtë – caktimin e gjykatësve në panele ose marrja e vendimeve në lidhje me përjashtimin”, thuhet në kërkesën e avokatëve.
Specialja e pranoi se takimi ishte zhvilluar, Trendafilova s’i mohoi deklaratat
Takimin konfidencial të Ekaterina Trendafilovës me diplomatët evropianë e kishin konfirmuar edhe nga Gjykata Speciale.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep kishte thënë se takimi i këtij lloji ndodh dy herë në vit, ku kryetarja përmbledh çështjet të cilat adresohen në dokumentet publike të gjykatës.
Për këtë takim kishte folur edhe vetë Trendafilova. Në një intervistë për Klan Kosovën, ajo kishte përmendur dy krerët e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, si rast ku tha se ka pasur përpjekje për ta minuar punën e kësaj gjykate.
“Ashtu siç mund të keni parë në media, ka pasur një numër rastesh kur ka pasur përpjekje ose është pretenduar që të minohet puna e Dhomave të Specializuara të Kosovës pas njoftimit për nisjen e seancave. Për shembull, gjatë vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti aktakuza ndaj dy individëve: zotëri Hysni Gucati dhe zotëri Nasim Haradinaj. Ata dyshohet se kanë kryer një numër veprash kundër administrimit të drejtësisë – nga shpërndarja e informacioneve që mund të çojnë në identifikimin e dëshmitarëve dhe pengimin e procedurave para Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, ishte shpehur Trendafilova.