Deklarohen kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut: Kërkojmë kthimin e normalitetit, duam të qeverisim lirshëm

Prishtinë | 29 Maj 2023 | 17:08 | Nga Ekonomia Online

Kryetarët e Komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, përmes një deklarate të përbashkët për media, janë deklaruar në lidhje me takimin e sotëm që kishin me Ambasadorin Amerikan, Jeffrey Hovenier, shefin e misionit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, si dhe me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.

Zeqiri dhe Peci kanë thënë se duan dhe janë të gatshëm që punën, në të mirë të qytetarëve dhe komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit, ta nisin sa më parë.

Megjithatë, ata kanë thënë se situata aktuale nuk i pëlqen askujt, prandaj, u kanë bërë thirrje të gjitha palëve për qetësi, sepse, sipas tyre, dhuna ka qenë dhe mbetet e patolerueshme në proceset demokratike.

“Jemi zgjedhur nga qytetarët në një proces të lirë dhe demokratik, prandaj, edhe kushtet duhet të krijohen që të qeverisim lirshëm dhe në bashkëpunim me ta. Andaj, ne kërkojmë që sa më parë të kthehet normaliteti, në mënyrë që edhe puna jonë të ketë kuptim”, thuhet në deklaratën e Zeqirit dhe Pecit.

Në arritjen e synimeve të përbashkëta, për punë, zhvillim e normalitet, Zeqiri dhe Peci kanë kërkuar bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe të gjithë hisedarëve relevantë, vendorë e ndërkombëtarë.

Deklarata e plotë e Izmir Zeqirit dhe Ilir Pecit:

Sot, bashkërisht, i jemi përgjigjur pozitivisht ftesës për takim me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier dhe shefin e misionit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, si dhe me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.

Bashkë kemi diskutuar për situatën në komunat e pjesës veriore të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit të cilat pasuan betimin tonë si Kryetarë të komunave përkatëse.

Që nga dita kur i kemi shpallur kandidaturat për Kryetarë të komunave të Zveçanit dhe të Zubin Potokut, e deri sot, qëllimi dhe synimi ynë ka qenë i qartë: që t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve të komunave tona, pa asnjë dallim, drejtë dhe profesionalisht.

Natyrisht, situata në të cilën ndodhemi aktualisht, nuk i pëlqen askujt. Prandaj, në këto momente, iu bëjmë thirrje të gjitha palëve për qetësi, sepse dhuna ka qenë dhe mbetet e patolerueshme në proceset demokratike.

Personalisht, pasi që edhe jetojmë në Zveçan e Zubin Potok, e njohim situatën faktike ne terren dhe e dijmë mundësinë reale për përshkallëzimin e gjendjes. Kjo gjë nuk i shërben askujt, e më së paku qytetarëve, të cilët kanë nevojë për punë dhe progres në komunën tonë.

Ne duam dhe jemi të gatshëm që këtë punë ta nisim menjëherë. Megjithatë, mundësia e eskalimit të situatës mbetet shqetësimi ynë i madh. Ushtrimi i detyrës tonë si Kryetarë do të duhej të bëhej normalisht, sikur i çdo Kryetari tjetër komune, pa pasur nevojë për mbrojtje policore.

Jemi zgjedhur nga qytetarët në një proces të lirë dhe demokratik, prandaj, edhe kushtet duhet të krijohen që të qeverisim lirshëm dhe në bashkëpunim me ta. Andaj, ne kërkojmë që sa më parë të kthehet normaliteti, në mënyrë që edhe puna jonë të ketë kuptim.

Natyrisht, në arritjen e synimeve të përbashkëta, për punë, zhvillim e normalitet, kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe të gjithë hisedarëve relevantë, vendorë e ndërkombëtarë.

Të ngjashme