Deklarohen të pafajshëm katër të dyshuarit për sulmin ndaj KKZ-së në veri

Prishtinë | 30 Jan 2024 | 10:19 | Nga Ekonomia Online

Të dyshuarit për sulmin ndaj Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në veri të Mitrovicës, Milun Milenkoviq, Aleksandar Vlajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq janë deklaruar të pafajshëm.

“Nuk ndihem fajtor”, është fjalia që e kanë përdorur të akuzuarit gjatë seancës.

Në seancës e shqyrtimit fillestar lidhur me këtë rast, të mbajtur të martën, prokurori Afrim Shefkiu gjatë leximit të aktakuzës, ka thënë se të dyshuarit kanë hedhur granata dore dhe dy shok bomba.

Sipas prokurorit, qëllim ka qenë frikësimi i popullatës dhe institucioneve me qëllim të tërheqjes së tyre prej organizimit të zgjedhjeve në veri.

Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, ka thënë se të pandehurit i kanë 30 ditë kohë ankesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Pas njoftimit të Kurtajt, shqyrtimi fillestar është përmbyllur.

Të ngjashme