Të akuzuarit Dragan Cvetkoviq, Dragan Niciq, Milosh Shoshiq, Nenad Stojanoviq dhe Slobodan Jetivq, janë deklaruar të pafajshëm për krime lufte në fshatrat e regjionit të Gjilanit më 1999.
Deklarimin rreth fajësisë, pesë të akuzuarit e bënë të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Atdhe Dema, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më pas, gjykatësi Rrahman Beqiri tha se të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre në afat prej 15 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.
Në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuari Stojanoviq, avokati Millosh Nikoliq ka thënë se klienti i tij ka probleme shëndetësore dhe se për këtë ka propozuar ekspertizë psikiatrike në Prokurori gjatë procedurës hetimore dhe para gjyqtarit të procedurës paraprake.
Këtë propozim, avokait Nikolq e parashtroi edhe në seancën e sotme, me arsyetimin se i mbrojturi i tij nuk është në gjendje të kuptojë rëndësinë e kësaj procedure.
Në anën tjetër, prokurori Dema tha se është e vërtetë që avokati Nikoliq ka prezantuar këto dokumente, mirëpo që pas analizimit dhe hetimit, si dhe marrë për bazë faktin se i akuzuari Stojanoviq ka qenë pjesëtar i TMK-së dhe më pas edhe i FSK-së, do të thotë se i kaluar të gjitha testet psikologjike, andaj edhe nuk pasur arsye që të bëhet një ekspertizë e tillë.
Më pas, gjykatësi Beqiri tha se janë në shqyrtim fillestar dhe se propozimet e palëve do t’i trajtojnë në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 dhjetor 2024, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Dragan Cvetkoviq, Dragan Niciq, Milosh Shoshiq, Nenad Stojanoviq dhe Slobodan Jetivq, të cilët akuzohen se si pjesë e grupit kriminal, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë tjerë të paidentifikuar të këtij grupi të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht më 5 maj 1999, në orët e para të mëngjesit kishin ndërmarrë një aksion në disa fshatra të regjionit të Gjilanit, ku ishin vrarë tetë civilë shqiptarë.
Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se në mes të fshatrave Inatoc (Kukaj) dhe Llovcë te vendi i quajtur “Kisha e Epërme”, fillimisht të akuzuarit i kishin ndalur viktimat Rr.I., dhe Xh.Z., dhe kishin filluar ta maltretonin Rr.I., duke e goditur pandërprerë në pjesë të ndryshme të trupit, e më pas kishin shtënë me armë në drejtim të Xh.Z., e cila ishte duke ecur në drejtim të Rr.I., ku si pasojë Xh.Z., kishte mbetur e vrarë.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit kishin vazhduar ta godasin me thika tani të ndjerin Rr.I. në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas në një grumbull të dushkut të ndezur, i kishin vendosur të dy viktimat, ku Rr.I., ishte ende gjallë dhe i kishin djegur trupat e tyre, ngjarje kjo e cila ishte parë nga dëshmitari okular R.R.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit e lartcekur, në drejtim të fshatit Llovcë në vendin e quajtur “Lugu i Elbishtës”, i kishin ndaluar tani viktimat R.D., S.Xh., Xh.H., A.R., të dëmtuarit N.H., si dhe N.H., të cilët nën kërcënim të armëve i kishin detyruar të shtriheshin në tokë, i kishin kontrolluar dhe më pas e kishin liruar N.H., ndërsa kishin shtënë me armë në drejtim të viktimave, ku si pasojë kishin mbetur të vrarë R.D., S.Xh., Xh.H., A.R. Ndërsa, N.H., e kishin urdhëruar që t’i grumbullonte trupat e viktimave e t’i vendoste mbi një grumbull të drunjëve, pastaj e kishin urdhëruar që të shtrihej edhe vetë mbi viktimat dhe kishin shtënë me automatik mbi të dëmtuarin N.H., i cili kishte marrë dy plagë, një në qafë dhe në shpatullën e majtë, por që iu kishte mbijetuar plagëve të marra.
Më tej, në aktakuzë thuhet se në fshatin Llovcë përderisa popullata civile ishin duke u larguar me traktora me rimorkio, pjesëtarë të këtij grupi kriminal kishin filluar të gjuanin në drejtim të tyre ku si pasojë ishte plagosur viktima N.A., e cila si pasojë e plagëve të marra kishte ndërruar jetë, dhe po ashtu ishte plagosur edhe M.A., e cila në atë kohë ishte 2-vjeçe. Gjithashtu, edhe në dalje të fshatit Pogragjë, ky grup kriminal kishin shtënë në drejtim të viktimës N.R., i cili kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Në aktakuzë, thuhet se po ashtu, ky grup kriminal kishin maltretuar edhe të dëmtuarit F.H., B.M., dhe M.R., ku këta dy të fundit i kishin dërguar në një kooperativë bujqësore në fshatin Pasjan, ku i kishin maltretuar në forma ç’njerëzore.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje të akuzuarit kanë kryer veprën penale “Krime kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ -së.
Ndërkaq, të pandehurit, Milosh Shoshiq dhe Nenad Stojanoviq akuzohen edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 i Kodit Penal.