E akuzuara F.S është deklaruar e pafajshme për akuzat se vrau motrën e saj, tani të ndjerën T.S në Fushë Kosovë në maj të këtij viti.
Një deklarim të tillë e akuzuara F.S e bëri të enjten në shqyrtimin fillestar, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktit akuzues nga prokurori Ilaz Beqiri.
E njëjta ka mohuar fajësinë lidhur me këtë rast dhe ka thënë se më herët kishin pësuar një aksident në komunikacion, i cili ka ndikuar ne gjendjen shëndetësore të saj dhe motrës së saj.
Ajo po ashtu ka thënë se motra e saj, tani e ndjera T.S vet kishte bërë vetëvrasje.
Prokurori Beqiri ka thënë se pas pranimit të raportit psikiatrik ka propozuar që ndaj të akuzuarës F.S, kur është e nevojshme të obligohet që ta përdorë terapinë pasi sipas tij ai dyshon së mund të paraqiten situata të njëjta sërish.
E akuzuara F.S dhe mbrojtësi i saj, avokati Halit Shaljani kanë kërkuar nga gjykata që t’i hiqet masa e paraburgimit ose siç tha avokati Shaljani nëse një propozim i tillë nuk aprovohet atëherë t’i vazhdohet paraburgimi të mbrojturës së tij në një institucion shëndetësor.
Një propozim i tillë është kundërshtuar nga prokurori Beqiri, e më pas është refuzuar heqja e masës së paraburgimit nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti.
Ndërsa, sa i përket propozimit për vazhdimin e masës së paraburgimit në institucion shëndetësor, gjykatësi Shyti tha se do të vendosë jashtë seance.
Po ashtu, gjykatësi Shyti ka njoftuar palët në procedurë se në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 6 dhjetor 2021, F.S po akuzohet se më 9 maj 2021 në fshatin Vrangoli, Komuna Fushë Kosovë në dhomën e tani të ndjerës T.S në gjendje të përgjegjësisë esencialisht të zvogëluar dhe nga motive të panjohura e ka privuar nga jeta tani të ndjerën motrën e saj T.S.
Sipas aktit akuzues derisa e ndjera T.S ishte e shtrirë në krevatin e dhomës së saj, e pandehura fillimisht e ka shtrënguar në qafë dhe fyt e më pastaj e ka lidhur edhe me shami në fyt, me ç‘rast nga ngulfatja ka ndërruar jetë, ndërsa e pandehura F.S sipas aktakuzës pas këtij veprimi ka ikur nga vendi i ngjarjes duke kërcyer nga dritarja, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me këto veprime, F.S po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 par 1, pika 1.3 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.