Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për aksidentin ku pësoi lëndime të rënda një këmbësor

Prishtinë | 09 Dhj 2025 | 20:09 | Nga Ekonomia Online

Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari B.S., u deklarua i pafajshëm për akuzën se shkaktoi aksident trafiku ku goditi një këmbësor duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Nebahate Salihu, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjyqtari i rastit, Sabit Sadikaj tha se brenda afatit ligjor 30 ditor, palët kanë të drejtë për të paraqitur kundërshtimin e provav edhe kërkesën për hudhje aktakuzës.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Bastri Aruqaj tha se brenda afatit ligjor do parashtrojnë kërkesë për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 19 janar 2024, B.S., akuzohet se më 10 gusht 2023, derisa ishte në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë dhe po drejtonte veturën “VW Golf”, nga pakujdesia shkel Ligjin mbi trafikun publik dhe ka rrezikuar jetën e njeriut.

Sipas aktkuzës, i pandehuri duke lëvizur nga drejtimi i semaforëve kryesorë në drejtim të rrethit të Flmaurit në shiritin e majtë qarkullues dhe me të arritur tek semaforët te PTK-ja, vend ky ku fluksi i këmbësorëve është relativisht i lartë, pasi kalon vendkalimin për këmbësorë në dritën e gjelbër në semaforë, vepron pa u bindur mirë se me një veprim të tillë nuk i rrezikon pjesëmarrësit tjerë të komunikacionit.

Aktakuza thotë se i akuzuari ka lëvizur me automjet në rrugë pa pasur kujdes të shtuar dhe të përshtatë shpejtësinë e lëvizjes me kushtet teknike dhe fushëpamjen e rrugës, gjendjes dhe llojit të rrugës, nuk ka qenë në gjendje që ta ndalë mjetin para çdo pengese që mund t’i paraqitet në kushte të dhëna brenda kufijve të fushëpamjes, përkatësisht nuk ka mundur që të veprojë me kohë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari B.S., me pjesën e përparme të anës së majtë e godet këmbësorin Xh.B. , i cili po ashtu i ka kontribuar aksidentit me lëshime sekondare, pasi që duke qenë i pakujdesshëm ka filluar të kalojë rrugën në pjesën ku nuk ka vendkalim të shënuar të këmbësorëve, ku si pasojë i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore me pasoja të përhershme.

Me këto veprime, B.S., po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, par.8 lidhur me par. 6 dhe me par.1 të Kodit Penal.

Të ngjashme