Të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është deklaruar i pafajshëm i akuzuari për krime të luftës në vitin 1999, në Prishtinë, Nenad Arsiq.
Ai akuzohet se më 21 maj 1999, në bashkëkryerje me personat e tjerë të forcave policore serbe, të paidentifikuar deri më tani, kishte marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile shqiptare, ku në familjen Shala në Prishtinë, anëtarët e saj i kishte rrahur dhe trajtuar në mënyrë çnjerëzore, si dhe kishte marr pjesë në shkatërrimin masiv të pasurisë, e ku kishin përvetësuar naftë, vetura dhe 200 mijë marka gjermane të fshehura nga kjo familje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Drita Hajdari, i akuzuari Arsiq nuk e ka pranuar fajësinë.
Meqenëse, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, kryetarja e trupit gjykues Albina Shabani Rama, e ka njoftuar atë dhe mbrojtësin e tij, avokatin Dejan Vasiq, se në afat brenda 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 6 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Nenad Arsiq, duke e akuzuar se gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kundër personave dhe pasurisë që janë të mbrojtura me dispozitat përkatëse në Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949.
Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari më 21 maj 1999, në bashkëkryerje me personat tjerë të forcave policore serbe, deri më tani të paidentifikuar, kanë marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë, ashtu që kanë shkuar në pronën e familjes Shala në lagjen “Emshir” në Prishtinë, ku fillimisht kishin larguar të gjithë personat që kishin ikur nga zonat e konfliktit dhe ishin strehuar tek familja Shala.
Sipas aktakuzës, pasi në shtëpi kishin mbetur vetëm të dëmtuarit Jakup dhe Skender Shala, i akuzuari me dashje ka vepruar në mënyrë çnjerëzore dhe ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të dëmtuarve duke i rrahur për një kohë të gjatë me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar vuajtje dhe dëmtime të rënda trupore, duke i fyer dhe sharë dhe me dashje ka marrë pjesë në poshtërimin dhe trajtimin çnjerëzore të dëmtuarit Jakup Shala, i cili edhe pas ishte i lënduar rëndë, e kishte detyruar me forcë të pijë alkool dhe të këndojë këngë serbe, të cilët të dëmtuar vuajnë edhe sot nga këto tortura.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale krimet e luftës kundër popullsisë civile, nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës nga neni 144, paragrafi 2, nënparagrafi 2.2 dhe 2.3 lidhur me paragrafin1, nënparagrafin 1.2, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtën ditë kohë dhe vendin e lartcekur, i akuzuari në bashkëkryerje me personat tjerë të forcave policore serbe, të paidentifikuar, në aksionin kundër popullatës civile, me dashje kanë marrë pjesë në shkatërrimin masiv të pasurisë si dhe përvetësimin që nuk mund të justifikohet me nevojat ushtarake.
Në aktin akuzues thuhet se ata në kërkim të parave dhe gjërave me vlerë, kanë marrë pjesë në bastisjen e shtëpive të familjes Shala, me ç’rast kanë dëmtuar pronën dhe kanë bastisur fermën e të dëmtuarit Jakup Shala, me ç’rast kishin gjetur dhe përvetësuar 3200 litra naftë të mbushura në fuqi, 200 mijë marka të fshehura në shtëpi si dhe kanë përvetësuar shtatë makina të ndryshme të familjes Shala.
Me këto veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës nga neni 144, paragrafi 2, nënparagrafi 2.4, lidhur me paragrafin 1, nënparagrafin 1.1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.