Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e shqyrtimit fillestar, i akuzuari G.G., është deklaruar i pafajshëm për akuzën se ka shantazhuar një grua. Ai tha se rasti nuk ka ndodhur ashtu siç është përshkruar në aktakuzë.
Gjykatësi i rastit, Eroll Gashi njoftoi avokaten e të akuzuarit, Xheneta Ibrahimi se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Paraprakisht, në këtë seancë u bë leximi i aktakuzës nga prokurori Rrahim Podvorica.
Sipas aktakuzës së ngritur më 24 maj 2019 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari G.G., akuzohet se ka shantazhuar të dëmtuarën N.G., pasi fillimisht gjatë muajit tetor të vitit 2013 është njoftuar fillimisht përmes telefonit me të dëmtuarën e më pas e ka takuar në Prishtinë dhe më 17 nëntor 2019 përmes telefonit i kërkon shumën prej 300 euro ose do të publikonte fotografitë për të cilat i akuzuari i kishte thënë se janë realizuar kur ishin takuar tek një market në Prishtinë.
Aktakuza thotë se e dëmtuara e frikësuar, po atë ditë ia ka transferuar shumën prej 150 euro përmes Western Union, ku më pas i akuzuari sërish i ka kërkuar të holla përmes telefonit, ku e dëmtuara ditën e nesërme nga frika ka takuar të pandehurin në Fushë-Kosovë dhe i ka dhënë personalisht shumën prej 300 euro.
Në aktakuzë thuhet se më 26 nëntor 2013 i ka kërkuar të holla ku e dëmtuara i ka paguar shumën prej 150 euro përmes Western Union, ndërsa një ditë më vonë më 27 nëntor 2013 ia ka paguar shumën prej 300 euro. Po ashtu, edhe më 29 nëntor 2013 e dëmtuara i ka dërguar 500 euro, dhe në fund e dëmtuara pasi që nuk ka pasur të holla të tjera për të paguar, është detyruar të paraqitet në polici. Me këto veprime, të dëmtuarës i është shkaktuar dëm materiale në përpjekje nga i pandehuri për t’ia cenuar rëndë nderin dhe autoriten e saj.
Me ktëtë, G.G., akuzohet se ka kryer veprën penale “Shantazhi”, nga neni 341, par.1 të Kodit Penal.