Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për shkaktim të aksidentit me fatalitet vitin e kaluar në Prishtinë

Prishtinë | 18 Tet 2024 | 17:15 | Nga Ekonomia Online

Në seancën fillestare të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Vullnet Gashi u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për shkaktim të aksidentit në dhjetor të 2023-ës në Prishtinë, si pasojë e të cilit kishte ndërruar jetë tani i ndjeri F.B.

Gashi tha se ndjehet tërësisht i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Deklarimin e fajësisë, i akuzuari Gashi e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Kushtrim Zeka, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, gjykatësja e rastit, Naime Krasniqi-Jashanica e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Bajram Dili, se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë për kundërshtim të provave dhe paraqitje të kërkesës për hudhje të aktakuzës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shkurt 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Vullnet Gashi më 2 dhjetor 2023 në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, derisa ishte duke drejtuar veturën pa patentë shofer, në shiritin e djathtë të dedikuar vetëm për lëvizjen e autobusëve dhe taxive, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, ashtu që duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve të rrugës, gjendjes dhe llojit rrugës në mënyrë që të ndalë mjetin para çdo pengese që mund të paraqitet, ka rrezikuar trafikun publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa tani i ndjeri F.B., ishte duke kaluar rrugën, në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, jashtë vendkalimit të këmbësorëve, nga ana e majtë në të djathtë (drejtimi i lëvizjes së automjetit), në ato momente në shiritin e mesëm të trafikut ishte duke lëvizur një kamion dhe me të arritur pranë “Euro Roleta”, i pandehuri me pjesën e parë ballore e godet tani të ndjerin, i cili si pasojë e lëndimeve të marra, kishte ndërruar jetë.

Aktakuza thotë se Raporti i Autopsisë i datës 12 dhjetor 2023, tregon se vdekja e tani të ndjerit F.B., është e dhunshme dhe ka ardhur si pasojë e traumës së shumëfishtë, ku tregohen edhe lëndimet trupore që kishte marrë tani i ndjeri si pasojë e aksidentit.

Me këtë, i pandehuri Vullnet Gashi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal. 

Të ngjashme