Ish-inspektor i ndërtimit në Komunën e Pejës, Mentor Beqiri, të mërkurën në seancën fillestare është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Lumtutije Vuqetaj, i akuzuari Beqiri, u deklarua i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më pas, kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj, e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësen e tij, avokaten Gerta Ragipi, lidhur me afatin prej 14 ditësh nga shqyrtimit fillestar ta paraqesin kërkesën për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, të ngritur më 17 prill 2024, i akuzuari Mentor Beqiri ngarkohet se nga 25 nëntori 2020, e në vazhdimësi deri më 3 tetor 2022, në objektin individual banimi me afarizëm, me investitorin Bashkim Baloku, i cili gjendet në Rr. “Lekë Dukagjini”, Komuna e Pejës, në cilësi të inspektorit përgjegjës të ndërtimit pranë Drejtorisë për Inspektim-Sektori i Ndërtimit, me mos-veprim dhe në kundërshtim me përshkrimin e detyrave të punës dhe atë me qëllim të përfitimit për personin tjetër investitorin e lartcekur, nuk ka ndërmarrë veprimet që i përkojnë me autorizimet e tij ligjore.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Beqiri, nuk kishte ekzekutuar vendimet e lëshuara nga ana e tij të datës 25 nëntor 2020, i cili ka obliguar investitorin të bëjë rrënimin e shtyllave të katit të tretë, ku afati për heqjen apo rrënimin e mbindërtimit ka qenë i menjëhershëm.
Po ashtu sipas aktakuzë i njëjti nuk e ka ekzekutuar as vendimin e tij të datës 17 mars 2020, i cili ka obliguar investitorin ta bëjë rrënimin e objektit të ndërtuar në kundërshtim me lejen e legalizimit edhe përkundër afatit të përcaktuar shtat ditor, investitori përkundër vendimeve si më lartë, ndërton dhe përfundon objektin në tërësi, fillimisht duke ndërtuar pa leje ndërtimore, e më pas në kundërshtim edhe me vendimin për leje të legalizimit për përfundim të ndërtimit, i cili kishte tejkaluar vijën ndërtimore, që i bie në kundërshtim edhe me planin rregullues “Puhuvc-Jarinë”, e i cili objekt nga investitori funksionin si biznes hostel “7 Arian’s” SH.P.K.
Për këtë i akuzuari Beqiri ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 par.2 e lidhur me par.1 dhe nenin 77 të KPRK-së.