Futbollisti i Montpellier, Junior Sambia, ka dalë nga koma e përkohshme disa ditë pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua pas infektimit me koronavirus, ka konfirmuar menaxheri i tij Frederic Guerra.
23-vjeçari ishte lojtari i parë i Ligë 1 që del pozitiv me koronavirus, edhe pse në testin e parë kishte rezultuar negativ.
Testi i dytë i cili zbuloi se ai kishte Covid-19 iu bë atij vetëm pasi u dërgua me urgjencë në spital pas problemeve me frymëmarrje të martën.
Guerra tha për gazetën La Parisien se Sambia ishte vendosur në komë të përkohshme pasi i kishte ndërruar spitalet, për shkak se i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore të mërkurën.
“Atë e kanë nxjerrë nga ventilatori dhe, edhe pse do të jetë një proces i gjatë rikuperimi, ai nuk është më në komë. Pa dyshim ky është lajm i mirë”, tha Guerra.
“Ai po merr frymë vetë dhe kjo është gjë e mirë ta dëgjosh”, shtoi ai.