Kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati i tha Gazetës Express se xhandarmëria serbe nuk është futur dje në territorin e Kosovës përkatësisht në fshatin Svircë. Kastrati tha se sipas informatave preliminare xhandarmëria serbe ka qenë në pikën zero.
Dje është raportuar se xhandarmëria serbe është parë të kalojë në territorin e Kosovës përkatësisht në fshatin Svircë të komunës së Kamenicës.
Lidhur me rastin, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qendron Kastrati ka thënë se sipas informatave të para xhandërmëria serbe nuk është futur brenda territorit të Kosovës.
“Sipas informatave preliminare xhandarmëria serbe kanë qenë në pikën zero, nuk kanë hyrë në territorin e Kosovës. Sipas qytetarit që e ka denoncuar dje, kanë shkuar në vendin e ngjarjes organet përgjegjëse dhe xhandarmëria kanë qenë në pikën zero të fshatit Svircë dhe nuk kanë hyrë këndej”, tha Kastrati.
Futja e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, ka vazhduar për 20 vjet në brezin kufitar me Serbinë në komunën e Kamenicës.
Në muajin gusht të këtij viti, forcat e armatosura të ushtrisë serbe u panë tek futen në fshatin Karaqevë.
KFOR’i kishte dalur me një sqarim për situatën duke thënë se në Karaqevë kanë pasur patrullim të sinkronizuar me Forcat e armatosura të Serbisë.
“Më 07 gusht 2020, rreth orës 17:20, elementët e KFOR-it nga Komanda Rajonale Lindje zhvilluan një Patrullë të Sinkronizuar me homologët e Forcave të Armatosura Serbe në Linjën Kufitare Administrative në afërsi të fshatit Hodonovc, në komunën e Kamenicës.Që nga viti 2008, patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura Serbe përgjatë Vijës Kufitare Administrative për të ofruar siguri dhe për tu siguruar që nuk ka aksidente. Në këtë drejtim, KFOR-i gjithashtu zhvillon patrulla të përbashkëta me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në afërsi të Vijës Kufitare Administrative”, thuhej në komunikatë.