Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka organizuar sot një tryezë diskutimi me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Gregory Delawie.
Delawie u shpreh se kjo javë është e rëndësishme për Kosovën, sepse votuesit do të jenë ata që do të përcaktojnë rrugën e saj drejt prosperitetit, duke shtuar se të gjithë pajtohen për një destinacion të vetëm: të shohin Kosovën si shtet sovran, të pavarur, në paqe me shtetet fqinje dhe të integruar tërësisht në komunitetin Evropian dhe global.
Më tutje, ambasadori i ShBA-së në Kosovë theksoi tri prioritetet e tij kryesore si Ambasador i SHBA-së në Kosovë: sundimi i ligjit, siguria rajonale dhe zhvillimi ekonomik si dhe përparimin që secila prej tyre ka shënuar.
“Kalimi i Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale ishte një hap i madh për të luftuar korrupsionin; ne kemi parë një rritje të numrit të arrestimeve për shkelje dhe keqpërdorim të detyrës. Luftimi i ekstremizmit ka qenë i suksesshëm dhe në fund, ne kemi mbështetur zhvillimin e bizneseve të vogla dhe kemi promovuar mundësitë për eksport”, tha Delawie.
Sidoqoftë, sipas tij, korrupsioni dhe niveli i papunësisë ende dominon në Kosovë.
Çështjet të cilat u ngritën nga anëtarët e Odës Amerikane ishin kryesisht të ndërlidhura me sundimin e ligjit, korrupsionin, gjendjen politike jostabile, mungesën e fuqisë së kualifikuar të punës dhe nevojën për një gjykatë komerciale, çështje të cilat sipas tyre, vazhdojnë të pengojnë zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë.
Gjatë pjesës së diskutimit, anëtarët patën mundësi po ashtu të marrin përgjigje dhe sugjerime nga ambasadori Delawie rreth pyetjeve dhe çështjeve të tyre.