Me 24 prill të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim më komunën e Deçanit kanë mbajtur ceremoninë e fillimit të punimeve për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë, por gjatë ditës së djeshme Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë reagoi në lidhje me punimet që po zhvillohen atje.
Sava Janjiq, Igumen i Manastirit të Deçanit, bashkë me Listën Serbe e me shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, thanë se me këtë po bëhet shkelje ligjore pasi po ndërhyhet në zonë të mbrojtur.
Ndaj këtyre deklaratave pati reagime nga Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe organet komunale të Deçanit.
Por, misioni i OSBE-së në Kosovë doli me një deklaratë ku tha se janë ndaluar punimet në këtë rrugë.
Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, doli në mbështetje të vendimit për ndalim të punimeve.
“ShBA-ja pajtohet plotësisht me deklaratën e OSBE-së”, tha Delawie në një postim në Twitter.