Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, e ka inkurajuar pjesëmarrje e madhe e organizatave të shoqërisë civile që të angazhohen për zgjedhje.
“Ky lloj i promovimit aktiv është thelbësor për Kosovën dhe për të organizuar vota të drejta. Të gjithë qytetarët kanë të drejt të votojnë pa mashtrime”, ka thënë ai.
Delawie ka deklaruar se zgjedhjet e vitit 2013-2014 treguan se Kosova mundet të përgatisë zgjedhje të mira dhe të lira, raporton Ekonomia Online.
“Njerëzit i kanë mësuar dënimet që mund t’i marrin e kjo është meritë ë juaja që po i promovon këto. Ne do të iu mbështesim gjatë gjithë procesit. Ambasada jonë i ka 40 ekipe që do të vëzhgojnë edhe procesin, por edhe në numërimin”, ka bërë të ditur Delawie.
Këto komente ai i ka bërë në tryezën me temën “Drejtësia zgjedhore në zgjedhjet e 11 qershorit” të organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në partneritet me Demokracia në Veprim (DnV).
Daka: KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhje
Kryetarja e KQZ Valdete Daka ka thënë se ky institucion ka bërë të gjitha përgatitjet për procesin e zgjedhjeve.
Ajo shpreson se Kosova të dalë edhe një herë faqebardhë dhe të tregojë se di të organizojë zgjedhje.
“Këto janë zgjedhjet e treta të parakohshme që zakonisht janë sfiduese dhe deri më tani kemi pasur sfida për shkak të afate por ne kemi arritur ti përfundojmë përgatitjet ashtu siç parashihet me ligj dhe kushtetutë. Ne kemi kujtime të freskëta të vitit 2010 kur kemi pasur manipulime të shumta dhe falë një memorandumi të arritur edhe me lehtësimin e tyre për monitorim. Fal këtij memorandumi ne kemi arritur ti organizojmë zgjedhje të pranuara nga të gjithë”, ka thënë ajo.
Pula: Kemi angazhuar prokurorë mjaftueshëm
Laura Pula, koordinatore për zgjedhje nga zyra e prokurorit të shtetit ka thënë se janë të angazhuar mjaftueshëm prokurorë nëpër të gjitha komunat e Kosovës.
“Mbështetja e Ambasadës Amerikane na ka ndihmuar pa rendur që ti bashkërendojmë punët dhe të tregojmë se zgjedhjet e vitit 2014 kanë qenë më të mirat në regjion. Roli i prokurorit të shtetit është në mbrojtjen e votës dhe ndëshkimin e atyre që në çfarëdo mënyre manipulojnë në procesin e zgjedhjeve”, ka thënë ajo.
Rexha: Fushata ka qenë e qetë
Naim Rexha nga policia e Kosovës tha se ka monitoruar tubimet e subjekteve politike ku vlerëson se në përgjithësi fushata ka qenë shumë e qetë.
“Sot në mesnatë përfundon faza e tretë nga prizmi i operacionit kompleks dhe duke përfshirë ditën e djeshme policia ka monitoruar 963 tubime të subjekteve politike. Për tërë këtë periudhë vlerësojmë një fushatë në përgjithësi shumë të qetë dhe pa ndonjë implikim të veçantë”, ka thënë ai.
Ai ka siguruar që policia do të jetë e gatshme të monitorojë parandaloj ndjekë dhe do të vendos para drejtësisë të gjithë ata shkelës eventual të gjitha ligjeve të vendit.