U.d. i kryeshefit ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike “Termokos”, Kastriot Bllaca ka mirëpritur një delegacion të lartë nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim e Gjermanisë (BMZ), Ambasada Gjermane në Kosovë dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).
Delegacioni është udhëhequr nga Micong Klimes, zyrtare përgjegjëse për Kosovën në BMZ, derisa qëllmi i vizitës ishte për të parë nga afër suksesin e projekteve të realizuara dhe progresin e atyre në proces realizimi, që janë financuar me fondet e qeverisë gjermane.
“Gjatë vizitës së realizuar në stacionin për nxjerrjen e energjisë ngrohëse në hapësirat e KEK-ut, Kryeshefi Bllaca ka falënderuar delegacionin për vizitën. Ai ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen e vazhdueshme, që qeveria gjermane ka ofruar për realizimin e projekteve të ndërmarrjes.
“Ne jemi thellësisht mirënjohës për gjithë përkrahjen tuaj financiare deri më tani, si dhe për angazhimin e vazhdueshëm në zhvillimin e projekteve të reja, të cilat përbëjnë jo vetëm investime kapitale strategjike për ndërmarrjen tonë, por nëpërmes përmirësimit të shërbimeve të ngrohjes dhe përfshirjen e sa më shumë konsumatorëve në rrjetin e ngrohjes, gjë që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve të Prishtinës”, theksoi Bllaca, njofton “Termokos”.
Delegacioni gjerman është njoftuar në detaje për mënyrën e funksionimit të sistemit të kogjenerimit, përparësitë e projektit të kogjenerimit, realizimi i suksesshëm i të cilit u ka paraprirë projekteve tjera si: Projekti për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes si dhe projekti “Solar 4Kosovo II”, që është në proces realizimi.