Delegacioni i BQK-së takohet me Drejtorinë e Përgjithshme për Stabilitet Financiar, Shërbime Financiare dhe Tregjeve të Kapitalit të Komisionit Evropian (DG FISMA)

Prishtinë | 31 Tet 2024 | 17:56 | Nga Ekonomia Online

Guvernatori Ismaili dhe Zëvendës Guvernatori Fusha nga Banka Qendrore e Republikës së
Kosovës (BQK) u takuan me z. John Berrigan, Drejtor i Përgjithshëm për Stabilitet Financiar,
Shërbime Financiare dhe Tregjeve të Kapitalit në DG FISMA, për të diskutuar para-aplikimin
e BQK-së për anëtarësim në Zonën e Unike të Pagesave në Euro (SEPA), që u dorëzua më 14
tetor 2024.

Diskutimet u përqendruan në reformat dhe përparimin e rëndësishëm nga BQK në
harmonizimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë përgatitjen e
ndryshimeve ligjore të nevojshme që mundësuan para-aplikimin për anëtarësim në SEPA.
Gjatë takimit, DG FISMA konfirmoi pranimin e Para-aplikimit të BQK-së duke njohur punën
e madhe të kryer nga BQK për të arritur këtë moment të rëndësishëm. Para-aplikimi
gjithashtu është dorëzuar në Këshillin Evropian të Pagesave (EPC)

Takimi theksoi nevojën për miratimin përfundimtar të dy ligjeve kryesore – Ligjin për Bankat
dhe Ligjin për Shërbimet e Pagesave – që do t’i lejojnë DG FISMA të ofrojë një vlerësim të
plotë, me komentet dhe rekomandimet përkatëse gjatë kësaj faze fillestare. DG FISMA
rikonfirmoi zotimin e saj për të trajtuar në mënyrë efikase Para-aplikimin, duke pritur
pranimin e legjislacionit të miratuar përfundimisht për të ofruar udhëzime të mëtejshme mbi
hapat pasues që duhen ndjekur drejt anëtarësimit përfundimtar në SEPA.

BQK shprehu gatishmërinë për të adresuar me prioritet çdo sugjerim nga DG FISMA,
ndërkohë që gjithashtu shprehu besimin se Kuvendi në përputhje me procedurat ligjore do të
përshpejtojë miratimin e projektligjeve.

Pas përfundimit të kësaj faze, procesi do të vazhdojë në Këshillin Evropian të Pagesave
(EPC), ku një vendim përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës në SEPA mund të pritet vitin
e ardhshëm si pjesë e iniciativës më të gjerë të integrimit të Ballkanit Perëndimor.

BQK shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme nga
Komisioni Evropian, në veçanti DG FISMA dhe DG NEAR, gjatë këtij procesi të
rëndësishëm. BQK gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen nga Banka Botërore dhe
partnerë të tjerë për arritjen e dorëzimit të Para-aplikimit.

Gjithashtu, BQK shpreh mirënjohje për institucionet e Republikës së Kosovës për kontributin
dhe mbështetjen gjatë procesit të Para-aplikimit, duke shprehur besimin në angazhimin e
vazhdueshëm të Kuvendit duke marrë parasysh rëndësinë kombëtare të anëtarësimit në
SEPA. Integrimi në SEPA pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike, duke
përfshirë një kursim vjetor të vlerësuar rreth 55 milionë euro nga tarifat për transferet
ndërkombëtare.

Ky takim pasoi mbledhjen e 14 tetorit 2024, ku Guvernatori realizoi takimin me z. Koopman
nga DG NEAR dhe një takim tjetër me Drejtorin e Përgjithshëm të EPC-së së bashku me
guvernatorë të tjerë rajonalë, si pjesë e procesit të integrimit rajonal të udhëhequr dhe
mbështetur fuqishëm nga BE. Plani për Rritje i filluar së fundi është një ndër instrumentet
kryesore që synon për arritjen e këtyre objektivave.

Të ngjashme