Delegacioni i Kuvendit në APKiE, takoi kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla​

Prishtinë | 21 Maj 2022 | 12:41 | Nga Ekonomia Online
  • Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i përbërë nga Saranda Bogujevci, kryesuese e delegacionit, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, si dhe Ariana Musliu Shoshi e Arben Gashi, anëtarë, është pritur në Tiranë nga kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Në takim u diskutua lidhur me intensifikimin e angazhimeve të të dy parlamenteve dhe delegacioneve respektive në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, vetëm disa ditë pas aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kryesuesja e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bogujevci, vlerësoi lart rolin e Shqipërisë në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe në këtë linjë, mbështetjen e madhe të saj në procesin e aplikimit për anëtarësim në KiE, teksa falëndëroi kryetaren Nikolla dhe delegacionin e Tiranës në APKiE për këtë kontribut, njofton Klankosova.tv.

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, nga ana e saj, theksoi përkushtimin e Kuvendit të Shqipërisë për të lobuar në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të KiE-së për të mbështetur pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Në funksion të arritjes së këtij objektivi, delegacioni i Kuvendit të Kosovës u prit në një takim të vecantë edhe nga delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë pranë APKiE, kryesuar nga Blerina Gjylameti, kryesuese e delegacionit.

.


Të ngjashme