Guvernatori Ahmet Ismaili dhe Zëvendësguvernatori Dardan Fusha u pritën në takim bilateral në selinë e Bankës Qendrore të Italisë (Banca d’Italia) nga Guvernatori Panetta dhe Zëvendësguvernatorja Scotti.
Takimi u fokusua në projektin më të ri të dakorduar për pagesa të shpejta, i cili gjatë ditës, në një ceremoni të organizuar, u nënshkrua ndërmjet Bankës së Italisë, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe bankave qendrore nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina.
“Banka e Italisë do të ndërtojë sistemin TIPS Clone për të ofruar këtë infrastrukturë edhe për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja e cila u nënshkrua sot bën që Banka e Italisë ta zhvillojë këtë sistem për disa prej vendeve të rajonit, përfshirë Kosovën. Ky projekt përfaqëson projektin më të rëndësishëm infrastrukturor dhe strategjik të realizuar nga BQK, në arritjen e objektivit dhe Planit të saj Strategjik. Ky partneritet strategjik me Bankën e Italisë shënon një moment historik dhe vendos Kosovën në një nivel ku do të përfitojë nga ekspertiza profesionale dhe teknike, duke marrë një sistem që aktualisht Eurosistemi e përdor. Përveç të tjerash, çdo zhvillim i ri në sistemin e BE-së pritet të përditësohet në vijimësi edhe për Kosovën ndër vite, duke mbajtur kështu infrastrukturën e pagesave të Kosovës në hap me zhvillimet dhe inovacionet në BE”, thuhet në njoftim.
Sistemi pritet që brenda 18-muajsh nga nisja e realizimit të jetë i gatshëm. Fillimisht për pagesa lokale ndërmjet ofruesve të shërbimeve të pagesave, të cilat mundësohen përgjatë 24/7, me qëllimin që pas hyrjes në SEPA dhe përfundimisht të ndërlidhet me sistemet e pagesave të Bashkimit Evropian.