Delegacioni kosovar i udhëhequr nga presidenti Hashim Thaçi ka arritur në Berlin. Bashkë me Thaçin, në aeroplanin privat të ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, ishin dhe kryeministri Ramush Haradinaj; si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Haradinaj ka postuar në faqen e tij në Facebook një fotografi duke zbritur nga aeroplani, e Thaçi një veturë protokollare me flamur të Kosovës. Ky i fundit ka shkruar se Kosovën e pret një samit shumë i rëndësishëm.
Thaçi ka treguar se nesër do të takohen me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, takim ky që është i rëndësishëm për rrugën evropiane të Kosovës.
“Sapo arritëm në Berlin për samitin e nesërm me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ecja përpara drejt integrimeve evropiane është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe tërë rajonin tonë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Së bashku me presidentin Thaçi, ka mbërritur edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se Kosovën e pret një takim shumë i rëndësishëm në lidhje me dialogun me Serbinë dhe integrimin në Evropë.
Me ftesë të Kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron, sapo arrita në Berlin, për të marrë pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Liderëve të Ballkanit Perëndimor. Ky takim është një mundësi e mirë që liderët e rajonit të flasim hapur për sfidat dhe aspiratat e përbashkëta drejt rrugës euro – atlantike.
Kosova në vazhdimësi ka luajtur rol konstruktiv dhe të përgjegjshëm karshi detyrimeve të saja për fqinjësi të mirë dhe në përputhje me vlerat evropiane. Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar për dialog, paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë, gjithmonë duke respektuar vetëveten dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike, duke ruajtur integritetin territorial dhe partneritetin me aleatët e përhershëm të saj”, ka shkruar Haradinaj.
Nisja e tyre së bashku jep shpresë se në Berlin do të ketë një qëndrim të përbashkët në lidhje me bisedimet dhe marrëveshjen përfundimtare me Serbinë si dhe kërkesat e tyre gjatë këtij samiti.