Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha në Kuvendin e Kosovës se ngjarjet e fundit në vend janë të rënda dhe se ato e kanë bërë të frikshme pasigurinë.
Ajo zgjodhi të flasë për këtë, përpara se të niste debatin parlamentar në lidhje me raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.
“Para se të fillojë diskutimin tim për raportin e Komisionit Europian për Kosovën, natyrisht që është e pashmangshme që të flas për ngjarjet e fundit në vend, të cilat na kanë tronditur të gjithëve. Vrasjet, vetëvrasjet, grabitjet e armatosura, qarkullimi i madh i armëve në Kosovë, dhuna dhe pasiguria e frikshme që është krijuar këtu, është vërtetë e rëndë”.
“Jo më larg se mbrëmë të gjithin ishin dëshmitarë të një tjetër vrasjeje të një gruaje. 33-vjeçarja Liridona Murseli mbeti e vrarë pasi që ajo bashkë me familjen ishin cak i një grabitjeje të armatosur. Vetëm pak orë pas këtij rasti tragjik, një burrë ka humbur jetën pas plagëve të marra nga therrja me thikë po në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë”.
Deputetja iu shprehu ngushëllime familjarëve, ndërsa kërkoi që “institucionet e drejtësisë dhe institucionet përgjegjëse që të marrin menjëherë masa”.