Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar sot presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, për qasjen e tyre karshi vendimit për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike.
Deliu-Kodra tha se njehësorët e qytetarëve, edhe sot, vazhdojnë të llogarisin rrymën e shpenzuar sipas tarifave të rritura nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), megjithëse gjykata më 8 prill ka vendosur që ato të pezullohen.
Sipas saj, ZRrE-ja pas vendimeve të gjykatave, duhet t’i kthej tarifat e lira të energjisë elektrike.
“Ky bord i papërgjegjshëm dhe joprofesional i përzgjedhur nga qeveria e Albin Kurtit dhe i zgjedhur në këtë Kuvend nga kjo shumicë parlamentare në vend që urgjent të zbatoj vendimet e dy gjykatave, ata kanë vendosur që të abuzojnë me detyrën zyrtare me të vetmin qëllim që t’u krijojnë përfitime të paligjshme në kurriz të qytetarëve për dy kompanitë private që janë KEDS dhe KESCO…Vendimin e kontestuar të ZRRE-së, e ka shtyrë gjykata, prandaj nuk ka vendim të tillë të ZRRE-së, kjo e fundit duhet t’i kthej tarifat e lira të energjisë elektrike e ky do të duhej të ishte zbatimi më i drejtë dhe më i duhur i vendimit të gjykatës”, u shpreh ajo.
Deputetja e PDK-së i bëri thirrje presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që të kërkojë falje dhe të jap sqarime rreth tarifave të shtrenjta të cilat i ka pezulluar edhe Gjykata e Apelit.
“Nga kjo foltore i bëjë thirrje publikisht presidentes Osmani që të dalë para qytetarëve të saj e para t’iu kërkoj falje atyre se pse ka kërkuar që t’u ngritet çmimi i energjisë elektrike. Dhe e dyta të deklarohet pas opinionit të institucionit të Avokatit të Popullit se tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga ZRRE dhe të kontestuara në gjykatë janë tërësisht diskriminuese dhe shkelin liritë dhe të drejtat e qytetarëve”.
“Kërkoj që presidentja të deklarohet lidhur me moszbatimin e dy vendimeve të gjykatave nga ana e ZRRE-së, pasi njëra nga kompetencat kryesore të saj është sigurimi i funksionimit demokratik të institucioneve”.
“Sot presidentja duhet të dalë dhe të kërkoj falje para qytetarëve. Zonja presidente, ju me Kushtetutë përfaqësoni unitetin e popullit prandaj dilni para popullit dhe jepni sqarime para tij se për njerëzit e pushtetit juaj ligji nuk vlen, se si ata janë mbi ligjin dhe se si ata nuk i zbatojnë vendimet e gjykatave të Kosovës se si ju i keni mbyllur sytë dhe veshët para kësaj padrejtësie që po u ndodh qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ajo.