Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu thotë se PDK-ja nuk ka dorë në grafitet seksiste të vendosura në murret e oborrit të shtëpisë së deputetes Adelina Grainca, e cila e la këtë parti për të kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje. Deliu, edhe njëherë i ka kërkuar Graincës që ta dorëzojë mandatin e deputetes.
Ajo tha se Grainca u bë deputete falë hapësirës që iu dha nga PDK-ja.
“Por Adelina Grainca që u zgjodh deputete nga votat e mbështetësve të PDK-së, e tradhtoi besimin e tyre, duke nisur jetën politike në mënyrën më të padenjë të mundshme. Mandati i saj i trafikuar padenjësisht në Vetëvendosje, është mandat i votuesve të PDK-së dhe atyre që kanë besuar në Rimëkëmbjen, e nuk mund të shndërrohet kurrë në mandat politik për dikë tjetër”, ka shkruar Deliu.
Postimi i plotë i Blerta Deliut:
PDK-ja dhe rinia e PDK-së, i patën dhënë hapësirë dhe mbështetje të plotë kandidimit të Adelina Graincës, e përmes shembullit të saj, dhanë një mesazh të fuqishëm për çdo të ri e të re që kërkon adresë për angazhim politik.
Madje, në një kohë kur PDK-ja doli me rezultatin më të ultë elektoral, Adelina Grainca që garoi për herë të parë, ia doli që të zgjidhet deputete, si një nga 6 gratë e vetme të PDK-së në Kuvend, pikërisht falë hapësirës që iu dha nga PDK-ja dhe mbështetjes që ia dhanë votuesit e saj.
Por Adelina Grainca që u zgjodh deputete nga votat e mbështetësve të PDK-së, e tradhtoi besimin e tyre, duke nisur jetën politike në mënyrën më të padenjë të mundshme. Mandati i saj i trafikuar padenjësisht në Vetëvendosje, është mandat i votuesve të PDK-së dhe atyre që kanë besuar në Rimëkëmbjen, e nuk mund të shndërrohet kurrë në mandat politik për dikë tjetër.
Kjo është e vërteta e sheshtë dhe PDK-ja sheshazi ia kërkon Adelina Graincës dorëzimin e mandatit. PDK-ja nuk fshihet dhe nuk merret me grafite të territ për ta thënë të vërtetën që është e qartë si drita.