Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se asnjë përfaqësues i Vetëvendosjes nuk po guxon të dalë dhe të debatojë me përfaqësuesit e PDK-së për keqpërdorimet në Komunën e Prishtinës.
Përmes një statusi në llogarinë e saj në Facebook, Deliu ka treguar se as dje dhe as sot, askush prej Vetëvendosjes nuk ka pranuar të dalë në debat me PDK-në.
Deliu ka ironizuar me Vetëvendosjen, duke thënë se nuk e di çka paska me ndodhë kur t’u dalin skandalet e tjera më të mëdha.
“Dje, kolegu im, Blerand Stavileci, ishte paraparë të debatonte me dikë të Vetëvendosjes në Info Magazine për punësimin e militantëve të tyre në Komunën e Prishtinës. U frikësuan dhe nuk i doli askush përballë në debat. Sot, për të debatuar me dikë prej tyre, më ftuan mua sërish Info Magazine dhe pasi e konfirmova, më çkonfirmuan, sepse nuk kishte gatishmëri të debatonte sërish askush prej tyre. S’di çka paska me ndodhë me Vetëvendosjen kur t’u dalin skandalet e tjera më të mëdha!”, ka shkruar deputetja Deliu.