Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, e ngushëllon familjen e akademikut të vdekur, Idriz Ajetit.
Dema kësaj familje i ka dërguar telegram ngushëllimi.
Më poshtë keni telegramin e plotë:
E respektuara familje Ajeti,
Pikëllues ishte lajmi për ndarjen nga jeta të akademik Idriz Ajetit, i cili, gjatë jetës së tij, shërbeu edhe si rektor i Universitetit të Prishtinës. Më lejoni që në emër të organeve drejtuese dhe menaxhuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, t’jua përcjellë ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurit tuaj.
Ndonëse akademik Ajeti u nda fizikisht nga kjo jetë, figurat si ai janë të përjetshme dhe shërbejnë si frymëzim për pasardhësit për dekada e shekuj me radhë.Profesor Ajeti qe intelektual, albanolog, akademik e pedagog i shkëlqyer, i cili, gjatë jetës së tij, preku majat e shkencës dhe gjuhësisë në vend dhe jashtë tij.
Kontributi i tij disa dekadash në Universitetin e Prishtinës ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e institucionit tonë.
Ai ishte pjesë e UP-së që nga viti 1960, kur së pari iu bashkua universitetit si mësimdhënës në degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filozofisë në Prishtinë, duke vazhduar më pas si profesor ordinar. Ai, në vitet në vijim, shërbeu edhe si shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe. Gjatë viteve 1971 – 73, Ajeti e menaxhoi Fakultetin Filozofik, si dekan i këtij fakulteti, teksa në vitet 1973-75, Idriz Ajeti qe në krye të Universitetit të Prishtinës, si rektori i dytë i UP-së.
Në këto ditë të hidhura, me mendje dhe zemër qëndrojmë pranë jush familjarë dhe pranë miqve të tij.