Kuvendi i Kosovës është duke diskutuar për Ligjin për Automjete, pikë e rendit të ditës kjo e cila ka nxitë debate të ashpra ndërmjet deputetëve të pozitës dhe atyre të opozitës.
Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shkumbin Demaliaj, iu ka reaguar atyre nga Lëvizja Vetëvendosje të cilët akuzojnë të tjerët se nuk po kanë guxim të votojnë për këtë projektligj i propozuar nga ta.
“Është e pa ndershme me iu thënë deputetëve nuk po guxoni me votua. Qeveria e kaluar, domethënë në legjislaturën e kaluar, i kam thënë deputetit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca mblidhi nënshkrimet dhe do ta nënshkruaj edhe unë për heqjen totale të homologimit, por një qasje e tillë duke përmendur emra të përvetshëm dhe kompani të përvetshme, me ligj i kanë, ndrysho ligjin dhe vepro, e jo t’i drejtoheni deputetëve guxon ose nuk guxon”, tha Demalijaj.Ai tha se anëtarë të LVV-së janë shëtitur nëpër jahte të Devollëve.
“Ju jeni shëtitur nëpër jahte të Devollëve, pra nga subjekti juaj politik. Njerëzit kanë lidhjet e tyre përmes bizneseve, ndërsa ju i keni përforcuar duke ua mundësuar me ligje. Ne mund të hapim kompani dhe të konkurrojmë, mirëpo nuk mundemi të fitojmë sepse dikush tjetër është më i fuqishëm në këtë rast, domethënë të rrëzon vet konkursi, sepse financiarisht është i fortë dhe konkurron e fiton”, tha Demalijaj.