Ndonëse jemi në përfundim të dekadës së dytë qëkur ka përfunduar lufta në Kosovë, plagët e kësaj lufte akoma vazhdojnë të jenë të hapura. Krimet e bëra nga Serbia kanë qenë të shumta, përveç humbjeve të mëdha në njerëz, qytetarët e Kosovës kanë pësuar edhe dëme të shumta materiale.
Ndërkaq, viktimat e këtyre dëmeve që nga përfundimi i luftës janë duke u orvatur sa një njërën e sa në tjetrën gjykatë të vendit për t’i dorëzuar paditë e tyre ndaj qytetarëve dhe shtetit serb, duke kërkuar kompensim e dëmeve të cilat atyre u janë shkaktuar.
Mirëpo, të gjitha paditë e dorëzuara në gjykatat e vendit nuk po shqyrtohen, kjo për arsye se në bazë të disa vendimeve, të cilat i ka siguruar gazeta, gjykatat në Kosovë nuk janë kompetente për të vendosur për kompensimin e dëmeve të luftës.
Jahir Bejta, kryetar i shoqatës “Ngritja e zërit”, i ka thënë gazetës se në të gjitha instancat gjyqësore në Kosovë janë dorëzuar mbi 1 mijë padi të cilat kërkojnë rimbursim të dëmeve të shkaktuara gjatë luftës nga njësitë militare dhe paramilitare të Serbisë. Sipas Bejtës, gjykatat themelore duke u thirre në jokompetencën territoriale të vet, pa shqyrtim hedhin kërkesat lëndore të paditësve, ndërkaq Gjykata e Apelit i refuzon ankesat e paditësve dhe vërteton aktvendimet e gjykatave themelore. (Gazeta Zeri)